FLASH :

“Pensioni më i ulët në Ballkan” – Berisha ironizon skemën shqiptare: ‘Në Gjermani japin më shumë për qentë e shtëpisë!’

Nga Vlora, ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 11 majit, Sali Berisha akuzoi qeverinë për braktisjen e qytetarëve dhe thellimin e pabarazisë. “Pensioni në Shqipëri është më i ulëti në Europë, më pak se ajo që Gjermania shpenzon për kafshët shtëpiake,” deklaroi ai, ndërsa ministrat, sipas tij, përfitojnë të ardhura që barazohen me 50 pensione.

“T’i pyesim pak këta qeveritarë, si mund të dilni ju para qindra e mijërave burrave dhe grave që shkrinë jetën e tyre, shkrinë energjitë e tyre për Shqipërinë që është sot dhe tani trajtohen në mënyrën më mjerane, më poshtëruese. Marrin pension më pak se sa Gjermania jep për kafshën shtëpiake.  Ndërkohë ministrat, mbiministrat marrin 50 pensione. Ndërkohë ministrat, mbiministrat ulen me pjata 15 pensione. Hapin shishe 30 pensione. Si mundet? A mund të ecim në këtë mënyrë? Jo.     

 Berisha e përshkroi realitetin në vend si “mjeran” dhe u zotua se me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, situata do të ndryshojë rrënjësisht. “Në tre muajt e parë të qeverisë së PD-së, mjerimi do të marrë fund,” premtoi ai, duke e kthyer vëmendjen nga korrupsioni tek problemet e përditshme të qytetarëve, si pensionet, varfëria dhe përkujdesja sociale. 

U jap ju fjalën se 3 muajt e parë, kjo situatë përmbyset. Shqiptarët në mjerim nuk do ketë më. Çdo shqiptar do marrë 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro. Mësuesit e fëmijëve tanë do marrin 1500 euro. Shqipëria, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre”, tha Berisha.