FLASH :

PD ankim edhe në Korçë: Proces farsë, administrata në shërbim të PS dhe vota e diasporës e manipuluar

Pas Kukësit dhe Beratit, Partia Demokratike ka depozituar një tjetër ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), këtë herë për qarkun e Korçës. Në kërkesën e saj, PD kërkon shpalljen si të pavlefshme të rezultatit zgjedhor dhe përsëritjen e votimeve për Kuvendin e Shqipërisë në këtë qark, duke e cilësuar të gjithë procesin si një “farsë politike”.

Demokratët pretendojnë se procesi zgjedhor është manipuluar nga qeveria përmes përdorimit të administratës publike dhe strukturave shtetërore për qëllime elektorale, çka sipas tyre ka krijuar një mjedis të pabarabartë dhe diskriminues ndaj opozitës.

“Në Qarkun Korçë, përdorimi sistematik i administratës publike dhe strukturave shtetërore në funksion të interesave elektorale të Partisë Socialiste ka qenë i përhapur dhe intensiv, duke krijuar një mjedis thellësisht të pabarabartë, jo-transparent dhe diskriminues ndaj opozitës. Institucione që, sipas Kushtetutës dhe ligjit, duhet të ruajnë neutralitetin politik, përfshirë administratën, drejtues të institucioneve shtetërore, entet publike dhe ndërmarrjet janë vënë në mënyrë hapur në shërbim të partisë në pushtet. Praktikisht, të gjithë bashkëpunëtorët e bashkisë, administratorët dhe punonjësit e institucioneve publike janë angazhuar gjatë gjithë periudhës parazgjedhore në mbështetje të listës së kandidatëve të Partisë Socialiste në këtë qark.”, thuhet në ankimimin e PD-së.

PD ngre gjithashtu shqetësimin për manipulim të votës së diasporës, veçanërisht nga Greqia, duke e cilësuar këtë element si ndikues të drejtpërdrejtë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

“Përsa kohë nuk ka asnjë provë ligjore dhe të dokumentuar për shpërndarjen e rregullt dhe të ligjshme të mbi 244 mijë zarfeve në diasporë, përfshirë rreth 60 mijë vetëm në Greqi, ku një pjesë jo e vogël ishin votues të qarkut e kontestuar, PD-ASHM e konsideron rezultatin zgjedhor në çdo zonë ku këto vota kanë ndikuar, si të cenuar në mënyrë të rëndë në integritetin dhe ligjshmërinë e tij. Rezultatet për votimin e diasporës në qarkun Korçë duken tërësisht jo realiste dhe të pabesueshme, sidomos kur analizohen me kujdes kutitë e votimit të ardhura nga Greqia. Në mënyrë të përsëritur, pjesëmarrja rezulton rreth 5 deri në 7% në pothuajse çdo kuti votimi, një shifër e dyshimtë për një komunitet që përbën një nga grupet më të mëdha të emigrantëve shqiptarë në këtë qark”, thekson PD.

Në dokumentin zyrtar të ankimimit, PD pohon se ka paraqitur prova dhe fakte që sipas saj dëshmojnë shkelje të ligjit dhe Kodit Zgjedhor, si dhe injorim të kërkesave të dërguara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga i cili nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare.