FLASH :

Pasim magjik nga Asllani, Interi ndalet 1-1 ndaj Monterrey në debutimin e Chivu

Kristjan Asllani vazhdon të tregojë klas në fushën e blertë. Mesfushori i Kombëtares shqiptare dha një asist brilant në barazimin 1-1 të Interit ndaj Monterrey të Meksikës, në sfidën hapëse të Grupit E të Kupës së Botës për Klube, të zhvilluar në stadiumin historik “Rose Bowl” në Kaliforni.

Në debutimin e trajnerit Cristian Chivu në stolin e Interit, ndeshja nisi me emocione. Monterrey kaloi në avantazh në minutën e 25-të, kur Sergio Ramos – veterani 39-vjeçar – u ngjit më lart nga një goditje këndi dhe me një goditje me kokë mposhti portierin Sommer. Edhe pse në moshë të thyer, Ramos zhvilloi një ndeshje të madhe dhe u shpall “Njeriu i Ndeshjes”.

Por barazimi do të vinte pak para fundit të pjesës së parë. Në minutën e 42-të, pas një faulli jashtë zonës, Kristjan Asllani realizoi një pasim të jashtëzakonshëm që çau gjithë mbrojtjen meksikane. Topi përfundoi te Carlos Augusto, i cili asistoi për Lautaro Martinez që nuk fali me portën bosh, duke barazuar shifrat në 1-1.

Interi pati kontrollin e lojës në pjesën e dytë, por nuk arriti të përmbyste rezultatin. Pas këtij barazimi, zikaltrit grumbullojnë një pikë në Grupin E. Ndeshja e radhës do të jetë më 21 qershor ndaj Urawa Reds, ndërsa më 26 qershor përballen me River Plate në sfidën vendimtare për kualifikimin.

Kristjan Asllani u vlerësua nga mediat italiane për lojën e tij, duke marrë nota të larta për qetësinë dhe vizionin në mesfushë.