Deri dje, lokalet përreth stadiumit “Air Albania” ishin mbyllur me urdhër të Inspektoratit të Bashkisë së Tiranës – me arsyetimin se kishin zaptuar hapësirën publike. Çadrat, karriget, tavolinat: të gjitha jashtë ligjit. Strukturat u hoqën, dhe qytetarët u lanë me përshtypjen se po rikthehej “rend urban”.
Por sot, vetëm një ditë pas emërimit të drejtorit të ri të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit nga nënkryetarja e Bashkisë, Anuela Ristani, skena ka ndryshuar si me magji: lokalet janë hapur sërish. Të gjitha. Por këtë herë, pa çadra.
Pra, të njëjtat lokale që u shpallën të paligjshme, të njëjtës bashki që i mbylli… tani janë hapur nga po e njëjta bashki. Çfarë ndryshoi? Me sa duket, mjaftoi një “kollitje” e butë nga drejtori i ri, dhe pronarët u vunë në dijeni se “tani jam unë këtu”.
A ishin çadrat problemi i vërtetë, apo mungesa e sinjalit “nga lart”? Sepse nëse çadrat zinin hapësirë publike, nuk ka asnjë logjikë që tavolinat e ulëta ta lirojnë atë.
Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes tregojnë qartë: aktiviteti ka rifilluar, por këtë herë me një klimë të re politike – më shumë bashkëpunuese, më pak ndëshkuese.