FLASH :

Pasi i shkuli veshin dhe i çoi dy ministra, Rama i shkon vetë Dredhës në zyrë, bashkë me ministrin nën hetim nga SPAK

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një vizitë të papritur në Bashkinë e Vlorës, duke i rënë derës së kryebashkiakut Ermal Dredha pikërisht pas javëve me tension të lartë dhe qortimeve publike. Pas “shkuljes së veshit” për djegien e plehrave në festën e PS-së dhe dërgimit të dy ministrave për inspektim, Rama ka zgjedhur këtë herë të paraqitet vetë në zyrën e Dredhës, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku – i cili aktualisht është nën hetim nga SPAK.

Ndërsa arsyeja zyrtare e vizitës nuk është bërë publike, mësohet se Rama e kishte paralajmëruar ndalesën në bashki rreth orës 10:00. Kjo lëvizje vjen në një moment kur Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar hetimet për abuzime me fondet publike dhe procedurat e tenderimit në disa bashki të mëdha, përfshirë edhe atë të Vlorës.

Mazniku, një nga emrat më të përfolur në çështjet e rindërtimit, është subjekt i një hetimi për keqpërdorim të fondeve publike dhe lidhje me kontrata të dyshimta gjatë periudhës së pas-tërmetit. Prania e tij në këtë vizitë “surprizë” ngre pikëpyetje për qëllimin real të takimit dhe mesazhet politike që mund të përçohen në një kohë të nxehtë për pushtetin vendor.

Pritet që gjatë ditës të ketë një reagim zyrtar mbi vizitën, ndërsa burime jozyrtare nuk përjashtojnë që ajo të jetë një sinjal për masë ndëshkuese politike, kontroll mbi situatën lokale, ose një lëvizje parandaluese për të paraprirë zhvillimet që mund të vijnë nga hetimet e SPAK-ut.