FLASH :

Pasi i rrahu kamarierin, Vasil Bedinaj, pronari i Hotel Regina, e goditi me kokë policin duke e hedhur ne tokë

Një tjetër detaj tronditës del në dritë nga përplasja e ndodhur një natë më parë në lagjen “Pavarësia 2” të Vlorës, ku një oficer policie dhunoi një kamarier 18-vjeçar pas një konflikti banal për një shishe ujë. Nënkomisari Ardian Isufi, ish-shef i Rrugores në Vlorë dhe aktualisht pjesë e Policisë Kufitare Dibër, ndodhej jashtë shërbimit në shoqërinë e shtetasit Leart Bimo, kur ndodhi incidenti.

Pas dhunës ndaj kamarierit, pronari i Hotelit Regina, Vasil Bedinaj, ka kërkuar të shohë pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Pasi ka konstatuar qartë skenën e dhunës së ushtruar nga polici ndaj punonjësit të tij, Bedinaj është përballur me oficerin Isufi, duke i kërkuar llogari. Debati verbal mes tyre është tensionuar shpejt, veçanërisht pasi polici refuzoi të kërkonte falje dhe thuhet se ka mbajtur qëndrim provokues, ndërkohë që ndodhej në gjendje të dehur. I revoltuar, Bedinaj e ka goditur me kokë në fytyrë, duke e rrëzuar përtokë dhe duke i shkaktuar dëmtime të dukshme.

Oficeri përfundoi i shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa situata u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së të pranishmëve. Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra Ardian Isufin dhe ka nisur një procedurë disiplinore ndaj tij për sjellje që diskreditojnë uniformën. Nuk dihet ende nëse ndaj Bedinajt do të hapet një çështje penale për goditjen ndaj efektivit të policisë. Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në qytet, veçanërisht për faktin se ky është rasti i dytë ku biznesmeni përfshihet në një incident të dhunshëm publik.