Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, peizazhi politik shqiptar ka pësuar një zhdukje të habitshme të figurave të njohura publike.
Ata që deri dje puthnin duart e çdo banori të fshatrave, hapnin krahët për foto me fasonet, uleshin në sofrat modeste me bujqit dhe përpiqeshin të dukeshin “popullorë”, sot janë bërë më të rrallë se sinqeriteti në një konferencë shtypi.
Arbjan Mazniku, dikur më i shpejtë se vetë transporti publik për të dalë në çdo kronikë televizive, sot duket se ka dalë në azil mediatik.
Ogerta Manastirliu, që në fushatë mund të bënte “turin shëndetësor” të çdo lagjeje me një buzëqeshje të përjetshme, tani ka kaluar në terapi pushimi total.
Ndërkohë, Belinda Balluku, raportohet se është në një vend ekzotik, ndoshta Bora Bora, ndoshta Vlorë, askush s’e di, as vetë GPS-ja.
Ndërsa qytetarët përballen me çmime në rritje, bllokim trafiku dhe polici që shpërndan gjoba me pasion, politikanët duket se kanë kaluar në një realitet paralel.
Aty ku fushata dikur sillte përqafime, fotografi me grupe banorësh dhe premtime për gjithçka, sot mbretëron një heshtje e ftohtë. Qytetarët janë harruar si premtimet pas orës 22:00 në natën e fundit të fushatës.
Nuk ka më vizita në lagje, nuk ka më premtime për kanalizime, për ndriçim, për shkolla e për “të dëgjuar zërin e popullit”.
Tashmë, gjithçka është futur në një dosje të quajtur “deri në zgjedhjet e ardhshme”.







