FLASH :

“Pashë një dritë të fortë para se të verbohesha,” thotë i mbijetuari nga helmimi me metanol në Laos

Një 23-vjeçar britanik ka rrëfyer për herë të parë momentet dramatike që i paraprinë verbimit të tij, pas një nate festimesh në qytetin turistik të Vang Vieng në Laos. Calum Macdonald, që po udhëtonte me miqtë e tij, thotë se gjithçka nisi me një “dritë verbuese si kaleidoskop”, ndërsa përpiqej të plotësonte formularët në kufirin me Vietnamin.

“Isha sapo zbritur nga autobusi, kur papritur nuk arrija të shihja më vetëm drita që më verboi plotësisht,” tha Calum për BBC. Një natë më parë, ai kishte qëndruar në “Nana Backpacker Hostel”, ku u ofroheshin falas turistëve vodka dhe whisky të përziera me pije të buta. Fillimisht menduan se ishte helmim nga ushqimi, por kur arritën në hotelin në Vietnam, ai kuptoi se kishte humbur tërësisht shikimin.

“U ula në dhomë dhe u thashë shokëve: Pse jemi në errësirë? Ndizni dritën! Por dritat ishin ndezur,” kujton ai.

Calum është një nga të mbijetuarit e helmimit masiv me metanol që goditi qytetin në nëntor, ku gjashtë persona humbën jetën, përfshirë dy vajza daneze që ai kishte njohur më parë. Të gjitha viktimat kishin qëndruar në të njëjtin hostel famëkeq për festat pa kontroll dhe pijet falas. Autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende përgjegjës për këtë tragjedi.

Metanoli është një lloj alkooli që gjendet zakonisht në produktet e pastrimit, karburant dhe antigel. Ai është i ngjashëm me etanolin – i cili përdoret për pije alkoolike – por është shumë më toksik për njeriun për shkak të mënyrës se si përpunohet nga trupi.

Pijet alkoolike mund të ndoten me metanol nëse prodhohen në mënyrë të pakujdesshme.

Kjo është një problematikë e njohur me pijet e lira në Azinë Juglindore, ku çdo vit qindra persona helmohen, sipas organizatës humanitare Mjekët pa Kufij (MSF).

Nëse konsumoni një nga këto pije të kontaminuara dhe pësoni helmim nga metanoli, simptomat mund të përfshijnë marramendje, lodhje, dhimbje koke dhe të përziera.

Për shumë njerëz ndjesia është e ngjashme me një gjendje normale pas dehjeje, çka e bën të vështirë të kuptohet nëse keni pësuar helmim apo thjesht keni konsumuar shumë alkool.

Pas 12–48 orësh, mund të shfaqen probleme më serioze si konvulsione dhe shikim i turbullt. Në rastet më të rënda, mund të çojë në verbëri të plotë dhe gjendje kome.

Vetëm 30 ml metanol mund të jenë fatalë për njeriun, sipas MSF.

Nëse helmimi diagnostikohet brenda 10–30 orëve pas konsumimit, ai mund të trajtohet me sukses përmes dializës.