Pak ditë pasi “zbarkoi” në Theth në stilin e Donald Trump-it, i shoqëruar nga truprojat personale dhe një makinë luksoze e të rrethuar nga njerëzit e tij, duke u prezantuar si njeriu që “do ta tërheqë Ramën zvarrë nga pushteti”, Pëllumb Pilinci ka shpallur zyrtarisht “qeverinë hije” të tij. I shoqëruar nga disa mbështetës dhe me tone populiste, Pilinci mbajti një fjalim entuziast në lartësitë e Alpeve shqiptare, ku e quajti veten “alternativa që ka munguar” dhe e cilësoi qeverinë aktuale si “një regjim që po bie nga themelet”.
Shfaqja e tij në Theth, me flamuj, jehona patriotike dhe referenca të vazhdueshme ndaj liderëve globalë, u bë virale në rrjetet sociale. Tani, me shpalljen e “qeverisë hije”, Pilinci pretendon se do të paraqesë një kabinet paralel me emra që “përfaqësojnë vullnetin e vërtetë të popullit”. Edhe pse figura e tij mbetet periferike në politikën zyrtare, retorika e ndezur dhe stili i tij teatral po tërheqin vëmendje në terrenin opozitar.