Miqtë e Cheryl Tweedy, ish-partneres së Liam Payne, thonë se ajo “do të bëjë gjënë e duhur” për djalin e tyre Bear, pasi u zbulua se ai pritet të trashëgojë të gjithë pasurinë prej 24 milionë paund të babait të tij.
Ylli i “Girls Aloud”, 41 vjeçe, ka marrë të drejtën ligjore për administrimin e pasurisë së Payne, i cili humbi jetën pasi ra nga ballkoni i një hoteli më 16 tetor të vitit të kaluar, pas një nate me alkool dhe drogë.
Meqenëse Payne vdiq pa lënë testament, ai u shpall ligjërisht “intestat”, që do të thotë se si prind i pamartuar, pasuria e tij u ndahet fëmijëve të tij. Kështu që, është shumë e mundshme që pasuria që Payne grumbulloi gjatë viteve me One Direction – pavarësisht luftës me varësinë ndaj drogës dhe alkoolit – do të vendoset në një trust për djalin e tij tetëvjeçar Bear.
Ata që e njohin Cheryl thonë se ajo “gjithmonë ka bërë gjënë e duhur për djalin e saj të dashur”.
Miqtë e këngëtarit të ndjerë kanë treguar se ai ishte shumë i përkushtuar që djali i tij të ishte i mbrojtur financiarisht nëse ndodhte ndonjë fatkeqësi.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Payne kishte një pasuri prej 28.6 milionë paund, që pas shlyerjes së borxheve ra në 24.28 milionë paund. “Është një ngushëllim i vogël që Bear nuk do t’i mungojë asgjë dhe do të përfitojë nga kjo trashëgimi,” tha një burim pranë këngëtarit.
Administrimi i pasurisë është bërë përmes një dokumenti të kufizuar “Ad Colligenda Bona”, që përdoret zakonisht kur pronat e një personi të ndjerë janë në proces shitjeje.
Cheryl është përmendur në dokumentet ligjore së bashku me avokatin e njohur të muzikës Richard Bray, i cili ka përfaqësuar edhe emra si Ed Sheeran.
Ndërkohë, dokumentet sugjerojnë se e dashura e Payne, Kate Cassidy, nuk do të marrë asgjë – pavarësisht faktit se kishte zbuluar planet e tyre për martesë pas vdekjes së tij. Kate postoi në Instagram pak orë pas publikimit të lajmit një foto me përmbajtje të zakonshme, duke shmangur komentet për trashëgiminë.
Cassidy kishte treguar më parë se Liam i kishte dhënë një letër me planet e tij për martesë para vdekjes. Ajo e përshkroi humbjen e tij si “shkatërrim të zemrës” dhe e quajti Payne “dashurinë e jetës sime”.
Vdekja e këngëtarit të “Best Song Ever” erdhi si tronditje për fansat dhe ishte klasifikuar si “politraumë” – dëmtime të shumta në trup. Pesë persona janë tashmë të akuzuar për vdekjen e tij, përfshirë menaxherin e hotelit dhe një mik të afërt.
Payne kishte një karrierë të suksesshme si solist pas ndarjes së One Direction dhe kishte investuar në prona, duke blerë një shtëpi prej 3.2 milionë paund në Buckinghamshire për të qenë afër Bear-it.
Funerali i tij u mbajt në nëntor, ku morën pjesë Cheryl dhe katër anëtarët e tjerë të One Direction.














