Pas vdekjes së Papa Françeskut në muajin prill, thirrjet nga aktivistët për hapjen e arkivave të fshehta të Vatikanit janë intensifikuar, me pretendime se aty ndodhen prova të fshehura për ekzistencën e jetës jashtëtokësore.
Një prej zërave më të fortë është ai i denoncuesit të Pentagonit, David Grusch, i cili akuzon Vatikanin se e ka ditur për alienët prej dekadash dhe e ka mbuluar këtë informacion me qëllim. Sipas Grusch, një nga këto anije jashtëtokësore është rrëzuar në Itali në vitin 1933 dhe më pas është fshehur nga regjimi fashist i Mussolini-t, për t’iu dorëzuar forcave amerikane pas Luftës së Dytë Botërore.
Mistika dhe dosjet e harruara në Arkivat e Vatikanit
Profesoresha Diana Walsh Pasulka, studiuese e religjionit në Universitetin e Karolinës së Veriut, është një nga njohëset më të mirë të arkivave të Vatikanit. Në librin e saj “American Cosmic”, ajo eksploron dokumente nga vitet 1300 deri në 1800 dhe zbulon përshkrime që i afrohen më shumë një episodi të X-Files sesa teologjisë tradicionale: objekte rrotulluese në ajër, drita vezulluese që depërtonin muret, forma inteligjente të dritës, dhe figura që ngjanin me qenie të ndritshme qiellore.
“Arkivat janë plot me këto raste. Problemi është se shumë në Vatikan as nuk dinë ku t’i kërkojnë – ato ndodhen në bodrumet e tyre,” thotë ajo.
Aktualisht, sipas saj, arkivistët e Vatikanit janë në një “garë të çmendur për të dixhitalizuar” dokumentet, por fenomenet “si orbet që shqetësonin murgeshat në vitet 1800” nuk janë prioritet.
Nga shenjtërit tek ‘meta-përjetuesit’
Një nga rastet më të habitshme që trajton Pasulka është ajo e motrës Maria nga Ágreda – një murgeshë e shekullit XVII që raportoi udhëtime përmes dritës së bardhë verbuese dhe pretendoi se ishte transportuar përmes “engjëjve” në Amerikën e Veriut, ku pati kontakte me popujt indigjenë – pavarësisht se fizikisht nuk e kishte lënë kurrë manastirin e saj në Spanjë.
Murgesha shkroi për udhëtime jashtëtrupore dhe “kozmosografi” që përshkruanin vende të largëta dhe botë të tjera. Disa nga shkrimet e saj u shkatërruan nga vetë murgeshat e tjera.
Pasulka e cilëson atë si një “meta-përjetuese” – dikë që ka përjetime shpirtërore të cilat mund të kenë natyrë kozmike dhe të lidhen me fenomenet e sotme të paidentifikuara.
Fatima dhe ‘mrekullitë’ që ngjajnë me kontaktet alienë
Në vitin 1917, tre fëmijë barinj në Fatima të Portugalisë pretenduan se panë Virgjëreshën Mari në një seri shfaqjesh qiellore. Ajo që mbeti në histori si “Mrekullia e Diellit” u dëshmua nga dhjetëra mijëra persona, përfshirë gazetarë dhe skeptikë, të cilët raportuan se dielli lëvizte në qiell, rrotullohej dhe afrohej drejt tokës.
Sipas studiuesve të UFO-ve, ky fenomen mund të ketë qenë një takim me një qenie jashtëtokësore, i keqinterpretuar nga njerëzit si një shfaqje hyjnore.
Pasulka nuk mohon natyrën shpirtërore të përvojave, por thekson se përshkrime të tilla – drita vezulluese, zbritje nga qielli, transmetime të mesazheve – përputhen me mënyrën si përshkruhen sot kontaktet me alienë.
Një trashëgimi që lidhet me politikën dhe luftën
Grusch pretendon se Papa Piu XII ka ndihmuar fshehtas SHBA-në në rikuperimin e një anijeje jashtëtokësore në Itali në vitin 1933. Edhe pse nuk ka ofruar prova materiale, ky pretendim i shtohet një liste të gjatë spekulimesh rreth dijenisë që mund të ketë pasur Vatikani për këto fenomene.
Për Pasulkën, përvoja të tilla janë të rrënjosura në fenë dhe mitologjinë e krishterë, por ngjashmëritë me përshkrimet moderne të UFO-ve janë shumë të mëdha për t’u injoruar.
“Nuk mund të analizosh një engjëll si një objekt shkencor. Në fe, gjen gjithmonë një ngjarje të pashpjegueshme, një mister të shenjtë,” përfundon ajo.


