Edhe pse Partia Demokratike humbi me një rezultat të thellë në zgjedhjet e 11 majit, Jorida Tabaku ishte deputetja më e votuar e kësaj force politike një sukses i padiskutueshëm personal për të. Që nga fushata e deri në ditën e votimit, Tabaku ka qenë pranë qytetarëve, derë më derë, shumë aktive në rrjetet sociale, e kulturuar, pro biznesit të vogël dhe në mbrojtje të shtresës së mesme. Ajo tashmë flet me petkun e një figure që mund të sjellë ndryshimin në një parti që ndodhet në krizë të thellë, e penguar prej vitesh nga Sali Berisha dhe që nuk po arrin të bëhet një alternativë serioze qeverisëse.
E ftuar në studion e A2CNN, Tabaku e cilësoi 11 majin si një mundësi të humbur për Shqipërinë, duke kritikuar mënyrën se si u organizuan zgjedhjet. “Nuk ka vend për festë për PD, rezultati ishte ai që ishte, nuk është ai që pritej, por në këto zgjedhje u vu re një influencë akoma edhe më e madhe e problematikave që kanë ndodhur në zgjedhjet në Shqipëri. Më vjen keq kur normalizohet dhe thuhet se gjithmonë kështu ka ndodhur”, tha ajo.
Sipas Tabakut, zgjedhjet ishin një rast i papërsëritshëm për të demonstruar një sjellje ndryshe politike. “Ishte mundësi e humbur për Shqipërinë, për të organizuar zgjedhjet. Sepse ishte hera e parë që organizoheshin me negociata të hapura. Dhe zgjedhjet janë element kryesor në grupkapitullin e parë. Prandaj do kisha menduar që edhe për hir të kësaj retorike që qeveria ka mbajtur për integrimin, sjellja do të kishte qenë komplet ndryshe nga ajo që ndodhi.”
Ajo thekson se integrimi europian është rruga e vetme për ndryshimin e vendit. “E konsideroj integrimin si rrugën e vetme për ta ndryshuar Shqipërinë. Sepse nuk di instrument më të mirë se si të ketë më shumë kontroll, monitorim në Shqipëri. Qoftë edhe për korrupsionin zgjedhor dhe krimin e organizuar.”
Por çfarë ndodh tani me opozitën dhe a duhet të ndryshojë lidershipi për të përmirësuar rezultatin në të ardhmen? “Është gjë e mirë që në PD ka pasur debat të brendshëm, por fakti që këto debate i kemi bërë publike, na ka dëmtuar,” u shpreh Tabaku. Sipas saj, opozita duhet të ofrojë frymë të re dhe të luftojë çdo ditë për të fituar besimin e qytetarëve. “Ato mandate janë të fituara me shumë luftë. Por nuk duhet të harrojmë që duhet të përdorim mënyra të reja, një frymë të re, edhe për qytetarët, shqiptarët, që janë në mandat të katërt pa rotacion politik. Këtë shpresë nuk mund të mos e ofrojmë ne. PD duhet të jetë patjetër alternativa politike. Partia Demokratike duhet të luftojë çdo ditë, do të punojë çdo ditë sikur është dita e fundit e fushatës.
Nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç se të luftojmë çdo ditë. Kërkesa çdo ditë për zgjedhje të parakohshme, kërkesa çdo ditë për qeveri teknike, por kjo e shoqëruar edhe me alternativën tonë.”
E pyetur për zërat kritikë brenda PD që kanë kontestuar edhe rezultatin e saj si deputetja më e votuar e PD-së, Tabaku u shpreh: “Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh transparencë. Komenti im i vetëm është të bëhet transparencë për gjithë Tiranën. Kam shumë besim te integriteti i numëruesve të Partisë Demokratike, te strukturat, kështu që jam shumë e hapur për transparencë totale.”