FLASH :

Pas sulmeve iraniane, SHBA mbyll ambasadën në Tel Aviv – Mike Huckabee: “Dëme të vogla, por siguria mbetet prioritet”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tel Aviv do të mbetet e mbyllur përkohësisht pas goditjeve me raketa iraniane gjatë natës së kaluar. Lajmin e bëri të ditur ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, përmes një deklarate zyrtare në rrjetin social “X”.

“Ambasada dhe Konsullata Amerikane në Izrael do të qëndrojnë të mbyllura sot, pasi protokollet e strehimit janë ende në fuqi. Pati disa dëme të vogla pranë degës së ambasadës në Tel Aviv, por për fat të mirë nuk ka pasur asnjë të lënduar mes personelit amerikan”, shkroi Huckabee.

Masat e sigurisë vijnë pas një vale të re tensioni ushtarak mes Izraelit dhe Iranit, ku Tel Avivi u godit nga disa raketa balistike, duke shkaktuar panik dhe dëme në disa zona të qytetit. Edhe pse ambasada nuk ishte objektiv direkt i sulmit, afërsia me zonën e shpërthimeve bëri që autoritetet amerikane të marrin masa parandaluese për mbrojtjen e stafit diplomatik.

Zhvillimet po ndiqen nga afër nga Uashingtoni, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar dhe me rrezik të lartë për përshkallëzim të mëtejshëm.