Skandali që shpërtheu ditët e fundit për përfitimet e mëdha të Raiffeisen Bank nga tregu rus gjatë luftës në Ukrainë, ka marrë një tjetër kthesë të papritur – punonjës të vetë bankës në Austri kanë dalë në protestë, duke akuzuar institucionin financiar se po vendos fitimin mbi moralin dhe ligjin ndërkombëtar.
Në një atmosferë tensioni në Vjenë, gjatë mbledhjes vjetore të aksionarëve të bankës, aktivistë dhe punonjës të Raiffeisen Bank International u bashkuan për të kërkuar largimin e menjëhershëm të saj nga Rusia. Me pankarta ku shkruhej “Raiffeisen Bank, dil nga Rusia!” dhe “Bankomati i Putinit”, protestuesit e konsideruan të papranueshme që një bankë perëndimore të vazhdojë të operojë në një vend që po zhvillon një luftë agresive në zemër të Evropës.
Kujtojmë se një ditë më parë, investigime ndërkombëtare zbuluan se Raiffeisen Bank ka transferuar miliarda euro drejt Rusisë dhe ka paguar qindra milionë euro taksa në shtetin rus gjatë kohës së luftës – para që përfundojnë në buxhetin e Kremlinit dhe, sipas kritikëve, përdoren për të financuar luftën në Ukrainë.
Reagimet në Austri nuk kanë ardhur vetëm nga shoqëria civile – edhe brenda vetë bankës ka nisur një revoltë e brendshme. Punonjës të zhgënjyer e kanë cilësuar situatën si të papërballueshme etikisht, ndërsa menaxhmenti i Raiffeisen vazhdon të mohojë çdo shkelje, duke pretenduar se veprimet e saj janë “brenda ligjit” dhe se po përgatitet një dalje e kontrolluar nga tregu rus. Por mungesa e transparencës, heshtja përballë kritikave dhe zgjatja e pranisë në Rusi vetëm sa kanë përshkallëzuar krizën.
Raiffeisen Bank është një nga institucionet më të mëdha bankare që operojnë në Shqipëri, me një numër të madh klientësh dhe ndikim të gjerë në sistemin financiar shqiptar. Mijëra qytetarë shqiptarë kanë besuar kursimet dhe investimet e tyre në këtë bankë, duke e konsideruar një nga më të qëndrueshmet në treg.
Por në këtë klimë pasigurie që ka përfshirë edhe vetë selinë qendrore në Austri, pyetja që lind natyrshëm është: A janë të sigurta paratë e shqiptarëve?