Një ngjarje e rëndë u shënua mbrëmjen e djeshme në fshatin Drashovicë të Selenicës, ku një 43-vjeçar ndezi zjarr pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij. Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj dhe u rrezikuan bagëti të imta.
Policia e Selenicës ndërhyri menjëherë, duke ndaluar autorin e dyshuar, shtetasin E. B., 43 vjeç, banues në Drashovicë. Hetimet paraprake tregojnë se ai ndezi zjarr në mënyrë të qëllimshme, më 21 gusht 2025, rreth orës 19:30, në zonën e quajtur “Fshati i Vjetër”, pas një sherri me bashkëfshatarin F. N.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ndërsa Policia e Vlorës apelon qytetarët që të mos nxisin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
Strukturat e Policisë së Qarkut Vlorë kanë theksuar se do të vijojnë intensivisht punën për identifikimin dhe arrestimin e çdo autori të zjarrvënieve.
Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast të tillë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.