Pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit ka çuar pas hekurave figura të njohura të Partisë Socialiste, si ish-ministri Lefter Koka, deputeti Alqi Bllako dhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, duket se tani vëmendja po zhvendoset drejt opozitës. Në sfondin e një vale të gjatë hetimesh antikorrupsion që ka tronditur elitën socialiste, një pyetje nis të qarkullojë me forcë në qarqet politike dhe mediatike: a është Flamur Noka i pari nga Partia Demokratike që do të goditet nga SPAK?
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ndodhet tashmë nën hetim për disa akuza të rënda. Noka u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit, ku deklaroi se është nën hetim për krime zgjedhore. Por versioni i tij është kundërshtuar publikisht nga avokati Idajet Beqiri, i cili në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News zbuloi se ndaj Nokës është regjistruar një procedim penal për tre vepra të rënda penale: pastrim parash, korrupsion pasiv dhe mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.
Sipas Beqirit, Noka nuk justifikon miliona euro pasuri, përfshirë prona të paluajtshme në emër të tij dhe familjarëve, të cilat janë akumuluar sidomos gjatë kohës që ai ka mbajtur poste kyçe si ministër i Brendshëm dhe drejtues në Entin e Banesave. “Krimet që ka bërë janë të rënda dhe ai do të japë llogari,” u shpreh Beqiri, duke nënvizuar se hetimi është në fazë aktive dhe mund të prodhojë masa konkrete nga SPAK.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Partia Demokratike ka shfaqur ambicie për të goditur qeverinë për çështjet e korrupsionit, ndërsa tani duket se vetë opozita është futur nën lupën e drejtësisë.







