Një zjarr i fuqishëm përfshiu këtë të hënë një fast-food pranë rrethit të Komunës së Parisit në Tiranë, duke shkaktuar panik dhe një re të madhe tymi që u përhap shpejt në zonë. Flakët, që dyshohet se nisën në pjesën e kuzhinës gjatë procesit të gatimit, detyruan evakuimin e menjëhershëm të punonjësve të lokalit. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje në kohë dhe arritën ta vendosin situatën nën kontroll.
Ky nuk është rasti i parë i zjarreve në këtë zonë të populluar të kryeqytetit. Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, një tjetër zjarr përfshiu ambientet e një filiali të Raiffeisen Bank në të njëjtën lagje, duke ngritur shqetësime për sigurinë e bizneseve dhe ndërtesave përreth. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin kalimin në zonën përreth deri në një njoftim të dytë, ndërsa priten hetime të mëtejshme për përcaktimin e shkakut të saktë të zjarrit.