Pas vdekjes së Papa Françeskut, vëmendja e botës katolike është përqendruar tek Konklavi që do të zgjedhë pasardhësin e tij. Emrat që qarkullojnë janë figura me përvojë të gjatë diplomatike, angazhim në çështje globale dhe që përfaqësojnë drejtime të ndryshme teologjike dhe kulturore brenda Kishës. Tre italianë dhe nëntë kardinalë nga pjesë të ndryshme të botës përbëjnë listën e “papabilëve”.
ITALIANËT NË GARË
Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, është një diplomat i lartë që ka ndërmjetësuar marrëveshjen historike me Kinën për emërimin e ipeshkvijve. Figura e tij përfaqëson vijën tradicionale, por me përvojë të thellë ndërkombëtare.
Matteo Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe president i Konferencës Ipeshkvore Italiane, ka një histori të gjatë me komunitetin e Sant’Egidios dhe është i njohur për ndërmjetësimet në konflikte si Mozambiku, Burundi dhe Ukraina.
Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i Jerusalemit, është një nga zërat më të dëgjuar në Lindjen e Mesme. Me përvojë të gjatë në Tokën e Shenjtë, ai përfaqëson dialogun ndërfetar dhe përkushtimin në konflikte të ndërlikuara.

KANDIDATË NGA JASHTË ITALISË
Fridolin Ambongo Besungu, nga Kongoja, përfaqëson Afrikën dhe është një kritik i hapur ndaj çështjeve si bekimi i çifteve homoseksuale, ndërsa ruan ndikimin mbi Kishën në vende të përfshira në kriza humanitare.
Blase Cupich dhe Joseph Tobin, të dy nga SHBA, janë zëra të fortë për mbrojtjen e emigrantëve dhe drejtësisë sociale, shpesh në kontrast me politikat e ashpra të administratës Trump.
Péter Erdö, nga Hungaria, shihet si kandidati konservator më i fortë – teolog, historian dhe autor i më shumë se 250 veprave mbi të drejtën kanonike.
Anders Arborelius, nga Suedia, i pari kardinal në historinë e Europës Veriore, është i njohur për përkushtimin në ruajtjen e besimit në një nga shoqëritë më të sekularizuara në botë.
Jean-Marc Aveline, nga Franca, është një teolog i formuar në Marsilje dhe Sorbonë, me prejardhje nga Algjeria. Ai përfaqëson lidhjen mes Europës dhe Mesdheut dhe angazhim të fortë në dialogun ndërkulturor.

AZIA NË FOKUSIN E VATIKANIT
Luis Antonio Tagle, nga Filipinet, është një ndër zërat më të rëndësishëm në dialogun e Kishës me Azinë dhe me Kinën në veçanti. Papa Françesku i kishte besuar atij misionin për të udhëhequr dikasterin për Ungjillëzimin.
Lazzaro You Heung-sik, nga Koreja e Jugut, i angazhuar në përpjekjet për paqe midis dy Koreve dhe i përfshirë në lëvizjen e Fokolarëve, përfaqëson një vizion të Kishës së angazhuar për dialog dhe pajtim.
Juan José Omella, nga Spanja, është një figurë me rrënjë misionare në Afrikë dhe me angazhim të fortë në çështjet sociale, sidomos në luftën kundër urisë dhe mbështetjen për të varfërit.

Konklavi që po afrohet do të jetë një reflektim i tensioneve, shpresave dhe kërkesave që mbart Kisha Katolike në një botë gjithnjë më të polarizuar. A do të mbizotërojë vijimësia me vijën e Françeskut, një kthesë konservatore apo një papë nga periferitë që ndryshon gjithçka? Pritet një zgjedhje që do të shënojë një epokë të re.