FLASH :

Pas mishit me salmonelë, edhe luleshtrydhet greke me super pesticide, Cfarë duhet të hanë shqiptarët?

Pas skandalit me fileton e pulës braziliane të ndotur me salmonelë, ku mbi 13 ton mish u hodhën pa asnjë kontroll në treg dhe përfunduan në tryezat e qytetarëve shqiptarë, një tjetër alarm është dhënë, këtë herë me luleshtrydhet e importuara nga Greqia, të mbushura me pesticide të rrezikshme për jetën.

Në rastin e mishit të pulës, sasia e kontaminuar u shpërnda pa pritur rezultatet laboratorike, duke shkelur çdo procedurë bazë sigurie. Dhe çfarë bëri AKU? Pasi një pjesë e mirë e mishit ishte konsumuar, pa ndonjë ndjesë publike, pa asnjë transparencë, me zvarritje dhe nën presionin e prokurorisë, vendosi të pranojë se “po, kemi një problem”, duke fshehur edhe emrin e kompanisë përgjegjëse – që në fakt ishte “AMG FOOD”, në pronësi të Mondi Goxhës, përfitues i bujarisë së fondeve IPARD dhe i lavdëruar dikur nga vetë qeveria si “model suksesi”.

Por drama nuk mbaron këtu.

Në një tjetër episod të shëmtuar, një sasi luleshtrydhesh greke rezultoi me nivele alarmante të pesticideve. AKU, në vend që të paralajmëronte konsumatorët, njoftoi – vetëm pasi gjithçka ishte shitur dhe konsumuar – se kishte ndërmarrë “masa”. Masat, sigurisht, vijnë pas tragjedisë: vlerësimi i riskut, bllokimi i ngarkesave të ardhshme dhe procedurat burokratike që askush nuk i beson më.

Në të dy rastet, një gjë është e qartë: AKU nuk funksionon.
Një institucion që duhet të jetë gardiani i sigurisë ushqimore, sot është kthyer në një noter që vërteton futjen në Shqipëri të gjithçkaje të rrezikshme, nga mishi i kalbur te frutat helmuese.

Ndërsa qytetarët konsumojnë produkte të kontaminuara pa asnjë paralajmërim, institucionet përgjegjëse merren me “njoftime pas ngjarjes”, për të larë duart si Ponc Pilati.

Në Shqipëri, sot, mbijetesa ka marrë një kuptim të ri: jo vetëm të përballosh krizën ekonomike, por edhe të mos helmosh veten në supermarket.

Në mungesë të kontrollit të vërtetë, transparencës dhe përgjegjësisë institucionale, çdo vakt mund të jetë i fundit. Dhe ndërkohë që qytetarët mbeten të pambrojtur, AKU duket se ka zgjedhur të bëjë atë që di më mirë: heshtjen.