Pas ngjarjes tragjike në minierën e Klosit, ku një punonjës u zuri dheu dhe u gjet i pajetë pas 7 ditësh kërkimesh nga 800 vetë, dhe pas mbërritjes së forcave të shpëtimit nga Kosova për ndihmë në operacion, një tjetër dramë duket se ka ndodhur sot në Gramsh.
Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të shtunë në fshatin Poroçan të bashkisë Gramsh, ku një masiv dheu është shembur në afërsi të një hidrocentrali në ndërtim.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se dy punëtorë janë zënë nga dheu në momentin e shembjes së kanalit ku të dy punëtorët kanë humbur jetën.Shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e tyre.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë respektuar standardet e sigurisë në kantierin e punimeve.
Inspektorati i Punës dhe shteti në tërësi janë tërësisht të gjunjëzuar përballë mungesës së sigurisë së punonjësve në vendin e punës. Raste të tilla e nxjerrin lakuriq shtetin, duke treguar sa i paaftë është për të garantuar jetën e qytetarëve, sepse administrata merret kryesisht me fushatën e qeverisë dhe jo me problemet reale të njerëzve.
Lajmi i fundit:
Në fshatin Holta, gjatë punës në një kantier ndërtimi, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshkitur një masiv dheu, dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit A. B., 22 vjeç dhe E. Ll., 32 vjeç.







