Pas njoftimit të Irlandës se nuk do të marrë pjesë në Eurovision 2026 nëse lejohet Izraeli, edhe Spanja dhe Sllovenia po shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes nga festivali. Transmetuesi publik irlandez RTE deklaroi se një pjesëmarrje e tillë do të ishte “e papranueshme” për shkak të “humbjes së vazhdueshme dhe të tmerrshme të jetëve në Gaza”, dhe se vendimi përfundimtar do të merret pas qëndrimit zyrtar të Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU).
Spanja, nga ana tjetër, përmes ministrit të saj të Kulturës, Ernest Urtasun, ka paralajmëruar se nuk përjashton një bojkot nëse Izraeli nuk përjashtohet nga festivali. Gjatë një interviste për “La Hora de La 1”, ai theksoi se pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision, në kushtet aktuale, përbën një “normalizim” të veprimeve të tij në Gaza, duke minuar përgjegjshmërinë ndërkombëtare. Ai shtoi se Spanja tashmë ka bërë thirrje zyrtare për përjashtimin e shtetit izraelit dhe qeveria është e gatshme të marrë masa të mëtejshme.
Edhe Sllovenia, sipas burimeve mediatike, po shqyrton seriozisht tërheqjen, duke ndjekur shembullin e Irlandës dhe Spanjës.
Kjo situatë po ushtron presion të madh ndaj EBU-së, e cila pritet të japë një qëndrim zyrtar në muajt në vijim. Debati ngre pikëpyetje serioze për politizimin e festivalit dhe kufijtë e përfaqësimit ndërkombëtar në ngjarje kulturore.