FLASH :

Pas humbjes së motrave në aksident, vëllai i vogël i familjes Dhimaku mbërrin në Romë, nis kurimi për leuceminë

Pas tragjedisë që goditi familjen Dhimaku në aksin Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, një rreze shprese vjen për vëllain e tyre të mitur, Islin. Ai është dërguar për mjekim në spitalin “Bambino Gesu” në Romë, për të nisur trajtimin e një sëmundjeje të rëndë që po përjeton.

Lajmi u bë i ditur nga hoxha Elvis Naçi, i cili iu përgjigj thirrjes së prindërve për ndihmë, duke u angazhuar që djali të transportohej drejt Italisë. Naçi ndau edhe një foto nga spitali, ku i mituri tashmë ka nisur analizat dhe trajtimet për gjendjen e tij shëndetësore.

“Amaneti u krye! Isli, vëllai i dy motrave që humbën jetën nga aksidenti, arriti në spitalin Bambino Gesu në Romë bashkë me nënën. Shpresat janë të mëdha që Isli i vogël të shërohet. Ai tani po fillon kurimin e një sëmundjeje të vështirë, por ne të gjithë lutemi për djalin e vogël që të kthehet i shëruar në shtëpi. O Zot, shëroje Islin, jepu mjekëve sukses, ktheje atë të shëruar plotësisht tek nëna dhe baba,” shkruan Naçi.

Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit në aksin rrugor Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën dy motrat, 22-vjeçarja Elvisa Dhimaku dhe 20-vjeçarja Rozina Dhimaku. Elvisa ishte në timon, ndërsa në automjet ndodheshin edhe motra e saj dhe një shoqe, 24-vjeçarja Antonela Zhupa, e vetmja që mbijetoi pas përplasjes së rëndë.

Sipas të dhënave zyrtare, aksidenti është shkaktuar nga 23-vjeçari Kevi Norra, i cili punon si specialist në Ministrinë e Brendshme. Ai rezultoi se kishte konsumuar alkool dhe në momentin e aksidentit po kryente një parakalim të gabuar, duke e përplasur automjetin tip “Audi” kokë më kokë me makinën “Lancia” ku ndodheshin vajzat.

Norra u arrestua në vendngjarje dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Familja Dhimaku, e goditur rëndë nga humbja e dy vajzave, tashmë po përballet me një tjetër betejë: shpëtimin e të vetmit djalë të familjes.