Të tjera të dhëna domethënëse vijnë lidhur me atë që Lajme Troç ka kohë që e paralajmëron, rënien e çmimeve të ndërtimit në përgjithësi, dhe sidomos në Tiranë.
Ajo që në kemi thënë prej muajsh është se ndërtimet pa kriter të kullave në qendër që bëhen për të pastruar paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit politik, do të vijë një pikë që nuk do të mbajnë më dhe logjika e tregut do t’i hedhë në një humnerë të rënies së çmimeve. Nga kjo situatë do të përfitojnë kryesisht familjarët që duan të blejnë një apartament në periferi të Tiranës, ku komplekset me hapësira të mëdha ju mundësojnë një jetesë që në qendër nuk e gjen më, si dhe ata që investojnë te pronat në bregdet, ku kthimi i investimit vazhdon të jetë tepër i lartë.
I këtij mendimi duket se është edhe gazetari Klevi Muka, i cili në një analizë që ka bërë publike në rrjetet sociale e vë theksin te nisja e rënies së vëllimit të ndërtimeve si dhe të stanjacioni i çmimit apo plasja e flluskës për apartamentet që blihen nga njerëzit “normalë”
Ja çfarë shkruan ai:
Plas “flluska” e ndertimit ne Tiranë?
Tirana e vitit 2011 sipas INSTAT kishte 557,422 banorë. Tirana e sotshme, po sipas INSTAT (Censit 2023) ka 598.176 banorë, pra rreth 42 mijë banorë më shumë se 14 vite më parë. Ndërkohë, vetëm në periudhën 2019-2023 në kryeqytet janë ndërtuar 7,5 milionë metër katrorë, 5.4 milionë prej të cilave vetëm për njësi banimi. Mesatarisht, vetëm në këtë periudhë për çdo banor të ri të Tiranës, është ndërtuar 128 m2 banesë.
Familja tradicionale në kryeqytet ka ndryshyar, por jo drastikisht, pra nëse dikur mesatarja për anëtarë/familje ishte 3.9 sot është 3.2 (Censi 2023).
Kaq të dhëna mjaftojnë për të dalë në konkluzionin se Tirana është e ngopur me ndërtime për popullsinë dhe rritjen e përvitshme që ka, ndërsa kërkesa sado e madhe të jetë, në formë integrale, nuk kërkon më shumë seç ka aktualisht.
Kjo është ndjerë edhe nga ndërtuesit të cilët kanë nisur të ndërtojnë më pak! Në tremujorin e parë të vitit 2025, janë miratuar 258 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, duke shënuar një ulje prej 17,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u miratuan 311 leje. (INSTAT)
Paratë mbeten aty!
E nëse sipërfaqja që do ndërtohet ka pësuar rënie, paratë injektohen në ekonomi JO! Vlera e përafërt e projekteve të miratuara (që përfshin si ndërtesat ashtu edhe punimet inxhinierike) arriti në 20,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 47,6 %, krahasuar me një vit më parë (13,6 miliardë lekë) në tremujorin e parë të 2025-s. (INSTAT)
Ndërtuesit/investitorët po përqëndrohen në ndërtime më ekskluzive, në zona të cilat kërkesa mund t’i përgjigjet më mirë. Zonat bregdetare, komplekse vilash, zona rezidenciale, etj.
Për konsum masiv, pra për një familje të re në Tiranë, ofertë ka PLOT!
Në këtë logjike, çmimet në zonat ekskluzive do të rriten, por në pjesën tjetër JO!
Fundi i një trendi?
Shqipëria nuk ka industri, sektori i bujqësisë nuk është i zhvilluar, bursa fare, tregu mbetet i parregulluar dhe risku për një biznes të ri është i madh, për shkak të rolit të brishtë të shtetit si rregullator.
Mundësia e vetme e investimi dhe “industri” kryesore mbetet NDËRTIMI. Por, nëse deri 2 vite më parë, ndërtuesit fokusoheshin te masiviteti, sot, po shkojnë drejt produktit ekskluziv dhe bregdetit. Rënia e ndjeshme e popullsisë në vetëm 2.3 milionë banorë, bën që edhe uria për Tiranën nga rrethet, të bjerë në mënyrë proporcionale. E per pasoje dhe kerkesa e madhe per shtepi.
Thënë kjo, çmimet për “elitën” mund të rriten, por pjesa tjetër e tregut do të futet në rastin më të mirë në stanjacion.
Koha e artë e ndërtimit masiv sapo eshte futur ne kapitullim!