Një skenë, një mikrofon, një turmë që brohoret dhe një zemër që dridhet përtej notave. Jessie J, këngëtarja britanike që jemi mësuar ta shohim si shpërthim energjie, u ndal për një moment. Por këtë herë, jo për të kënduar… por për të ndarë një të vërtetë që i ka tronditur jetën.
Gjatë festivalit Summertime Ball në Wembley të Londrës, artistja 37-vjeçare u përshëndet me publikun, duke njoftuar se do të tërhiqet përkohësisht nga muzika sepse përballë saj ka një sfidë shumë më të madhe: kancerin e gjirit.
“Sot është performanca ime e fundit para se të nisem për të mposhtur këtë sëmundje”, u shpreh ajo me zërin që i dridhej nga emocionet. “Nuk e keni idenë sa e veçantë është kjo për mua. Jam falënderuese për jetën, për ju, për djalin tim, partnerin, prindërit, ekipin tim…”.
Jessie J e ndau me ndjekësit e saj pak ditë më parë lajmin se është diagnostikuar në fazë të hershme të sëmundjes. E qartë në mesazhin e saj: do të rikthehet, por tani, trupi dhe shpirti kanë nevojë për shërim.