Vlora vijon të mbetet në qendër të kronikave këtë verë, mes një sërë incidentesh që kanë vënë në provë kapacitetet e qytetit për të përballuar fluksin turistik dhe emergjencat urbane.
Një apartament në një pallat pranë rrugës Transballkanike është përfshirë sot nga flakët, duke shkaktuar panik tek banorët. Në vendngjarje ndodhen shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e policisë, që po punojnë për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes në banesat përreth. Deri më tani raportohet vetëm për dëme materiale.
Ky incident vjen pas një sërë ngjarjesh të ngarkuara që kanë dominuar kronikat nga Vlora gjatë javëve të fundit: nga aksionet policore, mbytjet në det, përplasjet me armë mes grupeve kriminale, djegiet e landfilleve, e deri tek përmbytjet që ndodhën një ditë më parë pas vetëm pak minutash shi.
Përballë kësaj situate të jashtëzakonshme, kryetari i bashkisë Ermal Drenaj është kritikuar publikisht për paaftësi në menaxhimin e krizave, madje edhe nga vetë kryeministri Edi Rama.
Vlora, dikur simbol i pushimeve dhe qetësisë, këtë verë është kthyer në epiqendrën e lajmeve, një “kryeqytet i kronikës”, ku çdo ditë sjell një histori të re shqetësuese për qytetarët dhe turistët.