Partizani është kualifikuar zyrtarisht në “Final Four”. Të kuqtë e kryeqytetit fituan duelin direkt ndaj Elbasanit, për ta mbyllur kampionatin e rregullt në vendin e katërt.
Në stadiumin “Arena e Demave”, Partizani fitoi me rezultatin 2-0, duke marrë fitoren që i lejon të luftojnë për titullin kampion.
Preka zhbllokoi takimin në fundin e pjesës së parë, ndërsa Lulaj me një autogol, vulosi shifrat në 2-0.
Me këtë sukses, Partizani i bashkohet Egnatias, Vllaznisë dhe Dinamos në “Final Four”, ku do të duelojnë për titullin kampion.
Në sfidat e tjera, Egnatia u mposht 2-1 nga Teuta, ndërsa Vllaznia barazoi 1-1 ndaj Laçit. Dinamo u mposht 2-0 nga Tirana, me bardheblutë që siguruan “play out”, duke shmangur rënien direkte.
Pas ndeshjes foli trajneri Skënder Gega. Tekniku i të kuqve deklaroi:
“Me thënë të drejtën, 5 javë më kanë ngjajtur si 5 vjet, shumë presion, jo nga klubi apo dikush tjetër, por përgjegjësi e madhe. E mora në situatë me probleme, ka qenë natë e gjatë. Pas asaj ndeshje 120 minuta, asnjëherë nuk kisha në dyshim prokupimin, por kemi pasur probleme. Fakti që fituam pastër, na shton entuziasmin, por ia lëmë kohës. Jam i lumtur për lojtarët, klubin, tifozët, për ato kam ardhur. Nuk dua t’i vendos në presion, katërshja gjë e mirë. Jam i lumtur tek ata që kanë besuar, Gaz Demi, më thirri në një moment që nuk thoja dot jo. 3 ditë ndryshojnë opinionin, i tillë është futbolli. Jam shumë i lumtur, sidomos për tifozët që kanë besuar.
Deri në momentin që pësuam me Egnatian, ishte si kishim punuar. Doja të injektoja të njëjtën ide. Mendoja të bënim dhe presionin lart, falë përkushtimit dhe besimit mes dy palëve ia dolëm, ky ishte sekreti. Në 5 javë jam munduar të seleksionoj gjërat që mund të jenë bazë për të ardhmen, siç ishte kalimi i Salit në pozicion tjetër. Dhe Kotë që besoj ka kualitete, të largohet nga Korça dhe të vijë nga zonat tona për më tepër agresiv. Nuk jam unë që e kam sjell këtu. Po thoja që Partizani ka sjell këto emra në vendin e katërt, dhe këto do e çojnë.
Ne ishim përgatitur në fakt. Fjalët motivuese kanë qenë 24 orë, si individ dhe grup. Menduam se diçka ishte krijuar, edhe me video për motivim. Kanë filluar të shikojnë nëse funksionon herën e parë, pse jo të dytën. Kemi qenë qetë, ky është motivimi më i madh.
Deri ditën që vjen ndeshja, do jemi më të qetë dhe qartë. Kemi konsoliduar dhe filozofinë. Bëj gabime, nuk jam krenar për ndonjë vendim radikal si në herën e kaluar, kam kulturën të pranoj. Kemi rrah Egnatian dy herë rresht, nuk është arma jonë qarkullimi i topit. Duhet të formojmë personalitetin. Sot për sot, mendoj, kjo është, loja në grup dhe bllok, kundërsulm i shpejtë dhe personaliteti, me këto elemente ia arritën”, u shpreh Gega për RTSH.

