FLASH :

Partitë politike në aksion: Kandidatët ndotin Tiranën me fletushkat elektorale

Me afrimin e zgjedhjeve, fushatat politike janë bërë pjesë e përditshmërisë në çdo cep të qytetit. Mitingje, takime dhe aktivitete të përditshme kanë mbushur kalendarin e partive dhe kandidatëve. Në çdo cep të qytetit, mitingjet, diskutimet politike dhe fletushkat janë bërë pjesë e përditshmërisë. Mirëpo, këto fletushka që shpërndahen me qëllim informimi, përfundojnë në tokë. Rrugët e kryeqytetit janë të mbuluara me letra të grisura, duke shtuar pa pastërtinë e qytetit.

Të rinjtë e angazhuar në politikë, duke shpërndarë këto materiale, përpiqen të arrijnë sa më shumë qytetarë, por shpesh përfundojnë duke krijuar një problem të ri, ndotjen e mjedisit.

Qytetarët, për të mos ua prishur të rinjve, marrin fletushkat, por vetëm pak sekonda më vonë, ato përfundojnë në tokë, duke u bërë pjesë e një peizazhi të mbushur me letra të grumbulluara. Kjo situatë, përveçse ndikon në estetikën e qytetit, është edhe një shqetësim për higjienën dhe mjedisin.

Fletushkat elektorale, që duhet të ishin një mënyrë komunikimi mes kandidatëve dhe qytetarëve, po kthehen në simbol të shpërdorimit dhe ndotjes. A është koha që partitë të mendojnë për mënyra më të qëndrueshme për të komunikuar me zgjedhësit?