Parlamenti shqiptar ka shënuar një moment të diskutueshëm me hyrjen e Zegjine Caushit, një figurë e re politike që shumëkush e njeh nga videot e saj të shumta ku i çirrej zëri duke thirrur dhe tallur Gazmend Bardhin. Çudi apo jo, ajo sot është në parlament dhe ka fituar mandatin e deputetes.
Ashtu si të “vjetrit” e politikës, ku Lulzim Basha filloi të thërriste Edi Ramën “o Ramë”, Zegjineja ndoqi të njëjtën rrugë duke e thirrur Gazmend Bardhin “o gazo”. Përveç talljes me Bardhin dhe imitimit të të vjetërve, ajo nuk ka ofruar asnjë ide apo alternativë konkrete. Për më tepër, është dhe në hetim nga SPAK. Megjithatë, shqiptarët e votojnë sy mbyllur, pasi sot nuk ka më vëmendje për ide apo programe, por votohet “partia-shtet” që ka kapur çdo filiz të shoqërisë, ndërhyn me makinerinë e administratës, me banda dhe para të pista. Produkti i kësaj makinerie është Zegjineja në parlament.
Një parlament që dikur kishte figura të ndritura si Dom Nikoll Kaçorri, At Gjergj Fishta, Fan Noli apo Ahmet Zogu, sot ka përfunduar tek “parlamenti i Zegjines”. Injoranca e veshur me pushtet.







