Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku shihen dy automjete duke kryer parakalime të rrezikshme në segmentin rrugor “Librazhd–Qafë Thanë”, ka nxitur një reagim të menjëhershëm nga Policia e Elbasanit. Pas verifikimeve, drejtuesit e mjeteve janë identifikuar dhe janë ndëshkuar me gjoba për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, ku shfaqen 2 automjete që kryejnë parakalim të gabuar në kushtet e fushëpamjes së kufizuar, në aksin rrugor “Librazhd-Qaf Thanë”, ju informojmë se:
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë identifikuar drejtuesit e këtyre 2 automjeteve dhe i kanë vendosur secilit, masën administrative 10 000 lekë të rinj, bazuar në pikat 16 dhe 10 të nenit 146 dhe në pikën 5 të nenit 198 të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.