FLASH :

Aventurieri kinez përfundon në 8.500 metra lartësi pa oksigjen – dënohet me 6 muaj ndalim pas videos virale

Një aventurier kinez i sporteve ajrore është ndaluar nga autoritetet për të fluturuar për 6 muaj, pasi përfundoi në mënyrë aksidentale në një lartësi prej 28,000 këmbësh (rreth 8,500 metra) gjatë një stërvitjeje me parashutë në malin Qilian, në Kinën veriore.

Peng Yujian, një paraglider me përvojë pesëvjeçare, u ngrit nga një lartësi prej 3,000 metrash pa plan fluturimi të regjistruar dhe u përfshi nga një vorbull e fuqishme ajri që e ngriti përtej reve, deri në lartësinë e rrugëve ajrore të avionëve dhe në temperatura ekstreme deri në -40°C. Ai nuk kishte me vete maskë oksigjeni dhe raportoi simptoma të hipoksisë dhe ngrirje në duar.

Pamjet tronditëse të publikuara më vonë në rrjetin Douyin tregojnë Peng-un të mbuluar nga akulli, duke u përpjekur të ruajë kontrollin dhe duke komunikuar me një mik përmes radios. Pavarësisht gjendjes së rrezikshme, ai arriti të ulej në mënyrë të sigurt rreth 30 km larg pikës së nisjes.

Autoritetet kineze e quajtën incidentin një aksident dhe pranuan se një “person normal nuk mund të mbijetojë në atë lartësi pa oksigjen”. Megjithatë, Peng u ndëshkua për shkelje të rregullave, pasi nuk kishte marrë miratimin e nevojshëm të hapësirës ajrore dhe fluturimi u krye në kushte të pafavorshme atmosferike. Edhe miku i tij, Gu Zhimin, që publikoi pamjet pa leje, u ndëshkua me ndalim 6-mujor dhe u urdhërua të shkruajë një raport vetëreflektimi.

Autoritetet sqaruan gjithashtu se asnjë rekord i mundshëm i vendosur nga fluturimi nuk do të njihet zyrtarisht për shkak të mungesës së autorizimit.