Në Korenë e Jugut, një nga vendet me normën më të ulët të lindjeve në botë, klinikat e fertilitetit po përjetojnë një rritje të paprecedentë. Gra si Kim Mi-ae, e cila ka kaluar tashmë një përvojë të ngjashme tre vite më parë, përballen sot me radhë të gjata dhe pritje të gjata në këto klinika. “Edhe me rezervim, prita mbi tre orë”, tregon 36-vjeçarja nga Seuli.
Vetëm gjatë viteve 2018–2022, numri i trajtimeve të fertilitetit në vend është rritur me gati 50%, duke arritur në 200 mijë raste. Sot, një në gjashtë foshnje në Seul lind falë trajtimeve të tilla.
Ekspertët thonë se ky fenomen është pasojë e ndryshimit të qëndrimeve sociale: gratë koreane dëshirojnë të kenë më shumë kontroll mbi jetën e tyre dhe planifikimin familjar, duke zgjedhur të ngrijnë vezët apo të përdorin IVF kur përballen me vështirësi për të mbetur shtatzënë.
Kjo situatë përbën një lajm të mirë për qeverinë koreano-jugore, e cila prej vitesh përpiqet të luftojë krizën demografike që ka përfshirë vendin. Shkalla e lindshmërisë ka rënë nga 0.98 lindje për grua në vitin 2018 në 0.72 në vitin 2023, ndërsa vetëm vitin e fundit ka shënuar një rritje të lehtë në 0.75 – rritja e parë pas nëntë vitesh.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Të rinjtë koreano-jugorë përballen me presione të shumta sociale dhe financiare: orë të gjata pune, kosto të larta jetese dhe një sistem tradicional që shpesh ua lë barrën e përkujdesjes për fëmijët vetëm grave. Shumë prej tyre shtyjnë martesën dhe lindjen e fëmijëve deri në një moshë më të avancuar, çka më pas e vështirëson edhe më shumë ngjizjen natyrale.
Sipas OKB-së, më shumë se gjysma e koreano-jugorëve shprehen se duan të kenë fëmijë, por nuk e bëjnë për arsye ekonomike. Mosha mesatare e lindjes së fëmijës së parë ka arritur në 33.6 vjeç – një nga më të lartat në botë.
Për gratë që i drejtohen IVF-së, kjo është një përvojë jo vetëm fizike dhe emocionale, por edhe financiare. Kostot e trajtimit mbeten të larta dhe shpesh të paparashikueshme.
Në një kohë kur popullsia 50 milionëshe e Koresë së Jugut rrezikon të përgjysmohet brenda 60 viteve nëse trendet aktuale vazhdojnë, ky bum në klinikat e fertilitetit është një dritë shprese – por gjithsesi nuk mjafton për të përmbysur krizën demografike pa ndryshime të thella sociale dhe ekonomike.