FLASH :

Parada e titullit të Liverpool shndërrohet në tragjedi: 47 të plagosur pasi një makinë përplaset mes turmës

Ajo që duhej të ishte një ditë festive për tifozët e Liverpoolit u kthye në një skenë tmerri dhe kaosi, pasi një makinë u përplas mes turmës gjatë paradës së titullit të Premier League në qendër të qytetit, duke lënë 47 persona të plagosur, përfshirë edhe fëmijë.

Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës, rreth orës 18:00, në rrugën Water Street, vetëm pak minuta pasi autobusi i ekipit kishte kaluar në atë segment. Sipas burimeve të “MailOnline”, drejtuesi i automjetit tip Ford Galaxy kishte ndjekur nga pas një autoambulancë për të hyrë në një rrugë të bllokuar, përpara se të përfshihej në një debat me tifozët dhe të përshpejtonte me makinë në drejtim të turmës së dendur.

Pamjet tronditëse tregojnë momentin kur makina çan rrugën përmes njerëzve, ndërsa dëshmitarët shprehen se automjeti lëvizte me shpejtësi rreth 30 mph dhe qëllimisht përplaste persona, përfshirë një fëmijë që mbeti i bllokuar nën të. Nga të plagosurit, katër ndodhen në gjendje të rëndë në spital, sipas autoriteteve.

Drejtuesi i mjetit, një burrë 53-vjeçar nga Liverpool, u arrestua menjëherë nga policia. Autoritetet kanë sqaruar se nuk bëhet fjalë për një akt terrorist dhe se incidenti po trajtohet si një rast i izoluar. Megjithatë, pyetjet për sigurinë janë ngritur me forcë.

“Water Street nuk duhej të ishte e hapur për qarkullim,” deklaroi Kryetari i Bashkisë Metropolitane të Liverpool, Steve Rotheram. “Rruga ishte e bllokuar dhe megjithatë një automjet arriti të hyjë në zemër të turmës. Si ndodhi kjo, është një pyetje që kërkon përgjigje urgjente.”

Ekspertë të sigurisë kanë kritikuar policinë e Merseyside për dështimin në menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e hyrjes së automjeteve në një zonë ku ishin mbledhur afro një milion tifozë. “Kjo është një dështim i rëndë i masave parandaluese. Nuk duhet të kishte asnjë automjet në afërsi të një ngjarjeje të tillë,” u shpreh ish-këshilltari i sigurisë kundër terrorizmit, Lee Doddridge.

Ngjarja e rëndë vjen në një kohë kur kujtesa e tragjedisë së Hillsborough mbetet ende e freskët në memorien kolektive të qytetit, duke e bërë këtë incident edhe më traumatizues për komunitetin lokal.

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Familja Mbretërore reaguan me deklarata solidariteti, ndërsa Princesha Anne vizitoi spitalin ku po trajtohen të plagosurit, duke falënderuar nga afër ekipet mjekësore për ndërhyrjen e menjëhershme.

Hetimet vazhdojnë ndërkohë që policia forensike mbledh prova në vendin e ngjarjes, ndërsa qyteti i Liverpool po përpiqet të kurojë plagët e një dite që u kthye nga triumf, në tragjedi.