Ish-presidenti Hashim Thaçi ka marrë leje nga Gjykata Speciale dhe ka mbërritur në Kosovë për të vizituar varrin e babait të tij, Haxhi Thaçi, të cilit nuk mundi t’i jepte lamtumurën e fundit.
Thaçi s’ishte lejuar që të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij, mirëpo e vizitoi të atin në spitalin ku ndodhej i shtruar në Prishtinë disa ditë para se të ndërronte jetë.
Thaçi është parë me lule në dorë teksa hyn në varrezat në fshatin Burojë të Skënderajt, ku mbi kurorën me lule shkruhej mesazhi:
“Te varri erdha i fundit, babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë më dorë do t’i falënderoj të gjithë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, shkruhet në mesazh.
I shoqëruar nga eskorta e sigurisë, Thaçi më pas u nis drejt shtëpisë së tij.
