Papa Leo XIV priti të enjten në një takim në Pallatin Apostolik, Isaac Herzog, Presidentin e zraelit.
Presidenti izraelit u takua më pas me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, dhe Kryepeshkopin Paul R. Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, gjatë “bisedave me Atin e Shenjtë dhe në Sekretariatin e Shtetit, u trajtua situata politike dhe shoqërore në Lindjen e Mesme, ku vazhdojnë konflikte të shumta, me vëmendje të veçantë, situatën tragjike në Gaza”.
U shpreh shpresa “për një rifillim të shpejtë të negociatave në mënyrë që, me gatishmëri dhe vendime të guximshme, si dhe me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, të arrihet lirimi i të gjithë pengjeve, të arrihet një armëpushim i përhershëm me urgjencë, të lehtësohet hyrja e sigurt e ndihmës humanitare në zonat më të prekura dhe të sigurohet respektimi i plotë i ligjit humanitar, së bashku me aspiratat legjitime të të dy popujve.”
Në deklaratë shtohej se u zhvilluan bisedime rreth asaj se si të sigurohet një e ardhme për popullin palestinez dhe rreth paqes dhe stabilitetit në rajon. Në të thuhej se Selia e Shenjtë përsëriti pikëpamjen e saj se “një zgjidhje me dy shtete është e vetmja rrugëdalje nga lufta aktuale”.
U përmend gjithashtu ajo që po ndodh në Bregun Perëndimor dhe çështja e rëndësishme e qytetit të Jerusalemit.
Përpara përfundimit, deklarata e Zyrës së Shtypit vuri në dukje se “Gjatë diskutimeve, pati një marrëveshje mbi vlerën historike të marrëdhënieve midis Selisë së Shenjtë dhe Izraelit”.
U trajtuan gjithashtu një sërë çështjesh që kishin të bënin me marrëdhëniet midis Autoriteteve Civile dhe Kishës lokale, me vëmendje të veçantë ndaj rëndësisë së komuniteteve të krishtera dhe angazhimit të tyre, si në nivel lokal ashtu edhe në të gjithë Lindjen e Mesme, për zhvillimin njerëzor dhe shoqëror, veçanërisht në fushat e arsimit, promovimit të kohezionit shoqëror dhe stabilitetit rajonal.