Papa i sapozgjedhur, Leo XIV, akuzohet se “mbylli sytë” përballë akuzave për abuzim seksual ndaj fëmijëve nga priftërinj në kishat ku ai ka shërbyer në Çikago dhe Amerikën Latine, kanë bërë të ditur organizatat e viktimave.
Robert Prevost, i cili të enjten u bë papa i parë nga Amerika e Veriut, po përballet me akuza se ka dështuar të veprojë ndaj dyshimeve për abuzim në SHBA dhe Peru – shqetësime që, sipas Rrjetit të të Mbijetuarve të Abuzuar nga Priftërinjtë (SNAP), u ishin bërë me dije edhe kardinalëve që e zgjodhën.
“Të qëndrosh në heshtje është mëkat. Nuk është ajo që Zoti do nga ne. Jezusi do që t’i ndalim këto gjëra, jo të krijojmë një kopsht ku abuzimi seksual lulëzon”, tha Eduardo Lopez de Casas, viktimë dhe zëvendëspresident i SNAP-it, për DailyMail.com.
Në Çikago, Prevost dyshohet se ka injoruar rastin e priftit James Ray, i cili, megjithëse ishte ndaluar nga shërbesa publike për shkak të akuzave për abuzim me të mitur, lejohej të jetonte në një manastir pranë një shkolle fillore – pa njoftuar drejtuesit e saj. Prevost, gjithashtu, nuk hapi hetime zyrtare kishtare për dy priftërinj të dyshuar për abuzim në dioqezën e Chiclayo-s në Peru, të cilën e drejtoi nga viti 2014 deri më 2023.
SNAP dhe grupe të tjera thonë se këto çështje ishin bërë të ditura para konklavit të zgjedhjes së papës.
“Kjo figurë do të jetë nën lupën e opinionit publik. Dhe kjo është e mirë për viktimat, sepse më në fund kemi një papë që do të duhet të përballet me të kaluarën e tij,” shtoi Lopez de Casas.
Në një rast të rëndë në Peru, motrat Ana Maria, Juana Mercedes dhe Aura Teresa Quispe e akuzuan priftin Eleuterio Vásquez për abuzime që datojnë që në vitin 2007. Por, sipas raportimeve të The Pillar, dioqeza e Chiclayo-s nën drejtimin e Prevost-it i minimizoi dokumentet e dërguara në Vatikan në vitin 2022, duke penguar hetimin.
Prevost ishte takuar me viktimat dhe i kishte këshilluar të drejtoheshin në autoritetet civile. Por hetimi i Kishës u mbyll për mungesë provash dhe për shkak të skadimit të afateve ligjore.
Në Çikago, Prevost lejohej që një tjetër prift i përjashtuar, Richard McGrath, të jetonte në të njëjtin manastir. McGrath, ish-drejtor i shkollës Providence Catholic High School, u akuzua për mbajtjen e fotografive nudo të fëmijëve dhe për abuzim seksual ndaj një nxënësi. Viktima, Robert Krankvich, më vonë vdiq nga probleme të lidhura me varësinë, pavarësisht se kishte përfituar 2 milionë dollarë nga marrëveshja me Kishën Katolike.
SNAP dërgoi një letër në Vatikan ku kritikonte ashpër Prevost-in për “mosveprim të përsëritur” ndaj rasteve në SHBA dhe Peru. Organizata vlerëson se ai kishte rol drejtues në provincën augustiniane të Midwest-it nga 1998 deri më 2014, kur McGrath ishte ende aktiv.
Ndërkohë, shkolla Providence Catholic, ku Prevost ka dhënë meshë dhe ka lidhje të hershme, e përshkroi zgjedhjen e tij si “lajm të shkëlqyer”. Presidenti aktual i shkollës, John Merkelis, tha për DailyMail.com:
“Është thjesht një lajm i jashtëzakonshëm. Jemi të lumtur dhe krenarë.”
Por shumë të tjerë mendojnë ndryshe. Charles Collins nga revista Crux tha për Sky News se, duke qenë amerikan, Papa i ri mund të ketë njohuri më të thella për mënyrën si institucionet amerikane i kanë trajtuar këto çështje – dhe të jetë më i përgatitur për t’u përballur me skandalet në vendet që ende nuk kanë ndërmarrë reforma serioze.


