FLASH :

Panik në Spanjë dhe Portugali: Shkëputje masive e energjisë, dyshime për sulm kibernetik

Spanja dhe Portugalia janë përfshirë nga ndërprerje masive të energjisë elektrike që kanë shkaktuar kaos në qytete, me miliona banorë dhe turistë të bllokuar. Autoritetet hetojnë një ‘fenomen të rrallë atmosferik’, por nuk përjashtohet as një sulm kibernetik.

Tension i madh ka përfshirë Spanjën dhe Portugalinë pas ndërprerjeve të papritura të energjisë elektrike që nisën rreth orës 12:30 me orën lokale, duke zhytur në errësirë qytete të tëra dhe duke ndalur trenat, metrotë, trafikun dhe shërbimet jetike. Miliona banorë janë këshilluar të qëndrojnë në vendet ku ndodhen, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rikthimi i energjisë mund të zgjasë deri në një javë në disa zona.

Operatori i rrjetit elektrik të Portugalisë, REN, njoftoi se ndërprerja u shkaktua nga një “defekt në rrjetin spanjoll të energjisë”, i lidhur me një “fenomen të rrallë atmosferik”, pa dhënë më shumë detaje. Ndërkohë, operatori spanjoll Red Eléctrica e përshkroi situatën si “krejtësisht të jashtëzakonshme” dhe njoftoi se rikuperimi i plotë mund të marrë nga 6 deri në 10 orë.

Në të dy vendet, janë formuar radhë të gjata në supermarkete, banka dhe karburante, ndërsa paniku është rritur mes popullsisë që përpiqet të sigurojë furnizime bazë. Në Madrid dhe Lisbonë, ndalimi i trafikut urban dhe rrëzimi i sinjalistikës kanë krijuar rrezik të madh në rrugë.

Dyshime për sulm kibernetik

Ndërsa fillimisht u përmendën shkaqe natyrore si shkaktarë të ndërprerjes, autoritetet spanjolle konfirmuan se po hetohet edhe mundësia e një sulmi të organizuar kibernetik. Agjencia kombëtare e sigurisë kibernetike INCIBE dhe Agjencia Europiane për Sigurinë Kibernetike (ENISA) janë vënë në alarm, megjithëse nuk ka ende prova të qarta.

Një zyrtar i qeverisë spanjolle tha për Politico se “nuk ka akoma prova konkrete për shkakun e ndërprerjes, por sulmi kibernetik nuk përjashtohet.”

Kaos në transport dhe shërbime publike

Në Spanjë, sistemi i hekurudhave RENFE njoftoi pezullimin e të gjitha trenave në nivel kombëtar. Metrotë në Madrid, Valencia dhe Barcelonë ndaluan, duke detyruar evakuimin e mijëra pasagjerëve. Në aeroportet e Lisbonës dhe Portos u aktivizuan gjeneratorët emergjentë, megjithëse aktiviteti ishte i kufizuar.

Sistemet e komunikimit gjithashtu pësuan goditje: interneti dhe linjat telefonike u ndërprenë në pjesën më të madhe të qyteteve kryesore. Spitalet kanë arritur të ruajnë funksionimin falë gjeneratorëve rezervë, megjithatë disa ndërhyrje kirurgjikale jo emergjente u pezulluan.

Një fenomen i rrallë atmosferik?

Sipas REN, shkaktarët mund të lidhen me një fenomen të njohur si “variacion atmosferik i induktuar”, ku ndryshimet ekstreme të temperaturës shkaktojnë “oscilacione anormale” në linjat e tensionit të lartë. Këto luhatje mund të çojnë në çrregullime të tensionit dhe frekuencës në rrjet, duke provokuar ndërprerje masive.

Në Francë, disa rajone pranë kufirit me Spanjën gjithashtu raportuan ndërprerje të përkohshme të energjisë, por autoritetet franceze njoftuan se situata u stabilizua brenda pak minutash.

Kriza në rritje

Në Barcelonë dhe Valencia, ndërprerja e energjisë paralizoi trafikun urban, ndërsa në Madrid, kryetari i bashkisë bëri thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme. Ndërkohë, turneu i tenisit Madrid Open u ndërpre përkohësisht.

Qeveria spanjolle mblodhi një mbledhje emergjente për të ndjekur zhvillimet dhe koordinuar masat për rikthimin e normalitetit.

Sipas të dhënave të para, më shumë se 50 milionë njerëz në Spanjë dhe Portugali janë prekur nga ndërprerjet, ndërsa ende mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një aksident të rrallë natyror, apo një sulm të organizuar.