Një objekt i flakërueshëm u pa duke përshkuar qiellin e disa shteteve jugore të SHBA-së të enjten, duke shkaktuar panik, konfuzion dhe spekulime të shumta në rrjetet sociale, pasi nuk u raportua asnjë shpërthim apo zjarr në tokë. Banorët nga Tennessee, Georgia dhe Karolina e Jugut e përshkruan pamjen si një “top zjarri gjigant” ose si “diell i vogël që binte nga qielli me një bisht zjarri”.
Një grua nga Spartanburg, Karolina e Jugut, njoftoi policinë për një “top të madh zjarri që ra nga qielli”, ndërsa një zjarrfikës nga Tenesi shkroi në rrjetin X: “Nuk jam i çmendur! E pashë me sytë e mi në qiell rreth orës 12:20 të mesditës. Shumë e frikshme për kohën që po jetojmë.”

Një banor i shtetit Georgia tha se jo vetëm që e pa objektin, por edhe dëgjoi zhurmën e tij dhe ndjeu dridhje të tokës kur objekti preku sipërfaqen. Të tjerë raportuan zhurma atmosferike të çuditshme dhe dridhje në shtëpitë e tyre, ndërsa qentë reaguan me shqetësim.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA konfirmoi raportimet, duke thënë se detektorët satelitorë të rrufeve kapën një shenjë në qiell pa re, mbi kufirin midis Karolinës së Veriut dhe Virxhinias, afër Gasbury, rreth orës 12:51 – 12:56 pasdite. Meteorologu kryesor Brad Panovich u shpreh se objekti ndodhej në një lartësi shumë të ulët dhe mund të ketë qenë mbetje hapësinore, ndonjë pjesë rakete apo copë që digjej duke hyrë në atmosferë. “Nëse do të ishte meteor, duhet të kishte qenë shumë i madh për të qenë kaq i ndritshëm në mes të ditës,” tha ai.

Një drejtues mjeti në autostradën I-85 në Karolinën e Jugut regjistroi momentin me kamerën e makinës së tij, duke kapur topin e zjarrit që kalonte nëpër qiell. Ndërkohë, përdorues të rrjeteve sociale ndanë përvoja të ngjashme, përfshirë zhurma të forta dhe praninë e helikopterëve jo të regjistruar në radar.
Shoqata Amerikane e Meteoritëve mori qindra raportime nga Georgia, Tennessee dhe Karolina e Jugut, ku shumë qytetarë e përshkruan ngjarjen si “të frikshme” dhe disa madje thanë se menduan se po bien raketa. “Shpërthim, tym i zi dhe shtëpi që dridhen” – ishin fraza të përsëritura në dëshmitë e publikuara.
Megjithatë, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se nuk kishte asnjë raport për aktivitet të pazakontë ajror në zonë. Shkaqet e saktë mbeten të paqarta, por ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që të ketë qenë një fragment i madh meteori ose mbetje hapësinore që u shpërbë duke hyrë në atmosferë. Deri më tani nuk janë raportuar dëme materiale.







