Pamje dramatike janë regjistruar më 27 korrik në jug të ishullit italian të Sardenjës, ku dhjetëra pushues u detyruan të largohen me varka nga plazhi i njohur Punta Molentis, në zonën turistike të Villasimius, për shkak të zjarreve që përparuan me shpejtësi drejt vijës bregdetare.
Flakët nisën në zonat kodrinore përreth dhe të nxitura nga erërat e forta, zbresin me shpejtësi drejt detit, duke rrethuar bregdetin dhe duke shkaktuar panik masiv. Rreth 200 makina mbetën të bllokuara në parkimin pranë plazhit, ndërsa dhjetëra u dogjën. Pushuesit, përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë, u evakuuan me ndihmën e motovedetës së Guardia Costiera CP320, anijeve të Guardia di Finanza dhe mjeteve private, ndërsa për operacionin u angazhuan edhe dy avionë zjarrfikës Canadair, helikopterë dhe forcat tokësore të emergjencës.
Sipas autoriteteve italiane, rreth 100 hektarë me bimësi mesdhetare janë shkrumbuar, ndërsa zona turistike dhe ambienti natyror i mbrojtur në Punta Molentis janë konsideruar si të shkatërruar. Ngjarja është vetëm një nga 26 zjarret që goditën Sardenjën atë ditë, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjente në shumë zona të ishullit. Ekspertët e mjedisit e kanë cilësuar këtë një katastrofë ekologjike dhe paralajmërojnë për pasoja afatgjata.