Një udhëtim rutinë është kthyer në një përvojë rrëqethëse për dhjetëra pasagjerë të një fluturimi nga Republika Domenikane drejt Londrës, kur një burrë u përpoq të hapte derën e kabinës në 30,000 këmbë lartësi. Ngjarja ndodhi më 29 qershor në një avion të kompanisë TUI, kur 25-vjeçarja Oore Fabunmi, e cila po udhëtonte për në Londër, pa burrin që ishte ulur përpara saj të ngrihej papritur dhe të vraponte drejt pjesës së përparme të avionit. Pak çaste më vonë, shpërthyen britmat e panikut nga pasagjerët që ndodheshin afër derës, ndërsa burri përpiqej me forcë ta hapte atë.


Sipas dëshmive, disa pasagjerë ndërhynë menjëherë duke e ndaluar burrin dhe njoftuan stafin e kabinës, të cilët e izoluan situatën dhe u përpoqën të qetësonin të pranishmit. Në pamjet filmike të publikuara më vonë, shihen pasagjerë të tronditur që qëndrojnë në korridore, ndërsa një anëtar i ekuipazhit dëgjohet duke u thënë: “Nuk ka arsye për shqetësim për shëndetin tuaj, ju lutemi kthehuni në vendet tuaja.” Pasagjeri u mbajt i ulur dhe i shoqëruar nga stafi deri në fund të fluturimit dhe u arrestua nga Policia e Sussex sapo avioni zbriti në aeroportin Gatwick.
Pasagjerja Fabunmi rrëfeu se më herët kishte ndihmuar burrin për të gjetur vendin e tij dhe se ai fillimisht dukej i qetë, por më vonë filloi të sillej në mënyrë të çuditshme, madje u ngjit mbi sediljen e tij përpara se të vraponte drejt derës. “Në ato sekonda mendova se po na rrëmbenin avionin, mendova se do të vdisnim, si në filma,” tha ajo. Pas incidentit, ajo e përshkroi pjesën tjetër të udhëtimit si “të tensionuar”, por vlerësoi reagimin e ekuipazhit.

Zëdhënësi i Policisë së Sussex konfirmoi arrestimin e një burri 68-vjeçar për rrezikim të avionit dhe sqaroi se pas ndalimit rezultoi se ai po përjetonte probleme të shëndetit mendor. Hetimet vijojnë, ndërsa ngjarja ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë dhe menaxhimin e rasteve të tilla në bord.