FLASH :

Panik në ajër: Karikuesi portativ merr flakë në avion mbi Oqeanin Atlantik

Një udhëtim i zakonshëm ajror mbi Oqeanin Atlantik është kthyer në një moment paniku dhe frike për pasagjerët e Fluturimit KL792 të KLM, që udhëtonte nga São Paulo drejt Amsterdamit. Gjatë fluturimit, një karikues portativ (power bank) shpërtheu në flakë brenda kabinës, duke shkaktuar tym dhe frikë për një katastrofë në ajër.

Ngjarja ndodhi të mërkurën, ndërsa shumica e pasagjerëve ishin në gjumë. Gazetarja braziliane Simone Malagoli, e cila ndodhej në bord, raportoi se fluturimi ishte vetëm katër orë larg nga ulja në Amsterdam, kur filloi kaosi. “Papritur dëgjova zhurmë, një lëvizje të çuditshme. Kur kthehem, pashë shumë tym në korridorin ngjitur”, tregoi ajo. Në panik, disa pasagjerë nisën të bërtasin “Zjarr! Zjarr!”, duke menduar se flaka kishte shpërthyer në motor apo në ndonjë pjesë tjetër kritike të avionit.

Pamje të publikuara në Instagram nga Malagoli tregojnë momentet e tensionit, me tymin që përhapej në pjesën e djathtë të avionit Boeing 777-300, ndërsa ajo mbulonte fytyrën me një jastëk. Stjuardesat, me shtresë mbrojtëse në kokë dhe fikëse zjarri në duar, reaguan menjëherë dhe arritën të shuajnë flakët.

Sipas stjuardesave, karikuesi ishte në çantën e një pasagjeri, por nuk ishte i lidhur me prizën, çka e bën edhe më shqetësuese shpërthimin e papritur. “Imagjinoni nëse një karikues i tillë do të ishte vendosur në bagazh, në pjesën e poshtme të avionit,” komentoi Malagoli. “Kush do ta kishte ndalur zjarrin?”

Në një deklaratë për media, kompania ajrore KLM falënderoi ekuipazhin për ndërhyrjen e shpejtë dhe për zbatimin korrekt të protokollit të emergjencës. “Situata u vu nën kontroll të plotë dhe fluturimi vazhdoi i sigurt drejt Amsterdamit. U morën të gjitha masat për të garantuar sigurinë dhe rehatinë e pasagjerëve,” tha kompania.

Fatmirësisht, nuk u raportuan të lënduar, por incidenti ngre sërish pyetje për rreziqet e pajisjeve elektronike në bord dhe nevojën për masa më të rrepta sigurie në udhëtimet ajrore.