FLASH :

Pandemia e COVID-19 ka përshpejtuar plakjen e trurit pavarësisht nëse jeni infektuar apo jo nga virusi

Më shumë se 5 vjet pas fillimit të pandemisë së COVID-19, shkencëtarët po zbulojnë ende pasojat afatgjata jo vetëm të virusit, por edhe të periudhës së zgjatur të stresit, izolimit, humbjes dhe pasigurisë që ajo solli. Një studim i ri, i botuar këtë muaj në Nature Communications, tregon se pandemia mund të ketë përshpejtuar plakjen e trurit edhe te njerëzit që nuk janë infektuar kurrë më parë.

Studiuesit nga Universiteti i Nottingham në Mbretërinë e Bashkuar analizuan imazhe të trurit të marra para dhe pas fillimit të pandemisë. Ata zbuluan se truri i personave që jetuan gjatë pandemisë kishin shenja të plakjes më të shpejtë krahasuar me ata që u skanuan vetëm para marsit 2020. “Ajo që më habiti ishte se edhe personat që nuk kishin pasur Covid treguan rritje të ndjeshme në ritmin e plakjes së trurit,” tha bashkautori Ali-Reza Mohammadi-Nejad.

Studimi përdori të dhëna nga UK Biobank, një databazë e madhe që mbledh periodikisht të dhëna biologjike nga rreth gjysmë milioni persona, duke përfshirë skanime MRI të pothuajse 1,000 të rriturve. Disa kishin dy skanime para pandemisë (grupi kontroll), ndërsa të tjerët kishin një para dhe një pas masave kufizuese (grupi “pandemi”). Një model i inteligjencës artificiale, i trajnuar mbi mbi 15,000 persona të shëndetshëm, vlerësoi “moshën e trurit” dhe tregoi se, në skanimin e dytë, grupi pandemi kishte mesatarisht 5.5 muaj plakje shtesë krahasuar me grupin kontroll.

Efekti ishte më i fortë te të moshuarit, meshkujt dhe ata nga shtresa të pafavorizuara socio-ekonomike. Sipas autorëve, kjo tregon se shëndeti i trurit ndikohet jo vetëm nga sëmundjet, por edhe nga mjedisi dhe streset e përditshme.

Vetëm personat e infektuar me Covid midis dy skanimeve treguan rënie të dukshme në aftësitë njohëse, si fleksibiliteti mendor dhe shpejtësia e përpunimit të informacionit. Ata që nuk u infektuan nuk patën ndryshime të dukshme në funksionet njohëse, duke sugjeruar se plakja strukturore nuk përkthehet gjithmonë në humbje funksionale.

Studimi ka kufizime, përfshirë ndryshimet në kohën mes skanimeve dhe mungesën e përfaqësimit të shtresave më të margjinalizuara. Autorët theksojnë se plakja e trurit mund të jetë e kthyeshme, por nevojiten më shumë studime për ta vërtetuar këtë.