Qindra palestinezë janë mbledhur këtë javë përpara një furre buke në qytetin e Nuseirat në qendër të Gazës, pasi për herë të parë dhe deri tani të vetmen herë u lejua futja e miellit në Rripin e rrethuar, pas gati tre muajsh bllokadë totale.
Vetëm 90 kamionë ndihmash janë lejuar të hyjnë në Gaza gjatë kësaj jave, një sasi që organizatat humanitare e kanë përshkruar si një “rrjedhje e vogël” dhe “pikë në oqean”, ndërsa qeveria izraelite e ka quajtur “minimumi i domosdoshëm”.
Liderët izraelitë kanë deklaruar se kjo ndihmë ka për qëllim të fitojë kohë deri sa shpërndarja të kalojë në duart e mercenarëve amerikanë të financuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) një strukturë e re dhe e errët, krijuar në bazë të një marrëveshjeje me SHBA-në.
Ky plan është kritikuar gjerësisht si nga organizatat humanitare, ashtu edhe nga mediat ndërkombëtare. Të premten, një OJQ zvicerane i kërkoi autoriteteve një hetim zyrtar mbi GHF-në, për shkak të shqetësimeve në rritje mbi mungesën e transparencës në veprimtarinë dhe financimin e saj.







