Këto janë pamjet e shkëmbinjve të thepisur në plazhin e izoluar të Filikurit, në zonën e Potamit në Himarë, ku ndodhi një ngjarje tragjike që i mori jetën një turisteje të re. Në video dhe foto të shpërndara nga vendngjarja, duken qartë lartësia e frikshme prej rreth 30 metrash dhe gurët e mëdhenj që e bëjnë këtë terren jashtëzakonisht të rrezikshëm për këdo që tenton ta zbresë pa pajisje profesionale.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, kur një 23-vjeçare me shtetësi holandeze, që po zbriste drejt plazhit përmes shkëmbinjve së bashku me disa miq të apasionuar pas alpinizmit dhe hiking-ut, rrëshqiti dhe ra nga një lartësi e konsiderueshme. Sipas të dhënave paraprake, në momentin e rrëshqitjes, shoku i saj po e mbante për dore, por nuk ka mundur ta ndalojë dhe ajo ka përfunduar në humnerë, duke humbur jetën në vend si pasojë e plagëve të rënda.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e emergjencës, përfshirë policinë, zjarrfikësit dhe ambulancën, të cilët bënë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga terreni i vështirë. Në të njëjtën ngjarje, një tjetër vajzë, 18 vjeç, pësoi lëndime si pasojë e rënies së gurëve, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat, ndërsa turistët e tjerë janë ndihmuar të largohen nga zona në mënyrë të sigurt.


