Zjarret vijojnë të përfshijnë disa zona të vendit, duke krijuar shqetësim të madh për autoritetet dhe komunitetin lokal. Aktualisht, disa vatra të mëdha aktive janë regjistruar në jug dhe veri të Shqipërisë, duke djegur sipërfaqe me ullinj, pemë frutore dhe masa pyjore me rëndësi mjedisore e natyrore.
Në jug, situata më problematike paraqitet në qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës. Në bashkinë Konispol, flakët kanë përfshirë zonat e Pllakotit dhe Kokotrafit, pranë fshatit Markat. Zjarri po dëmton plantacione me pemë frutore dhe ullishta, ndërsa ndërhyrja për shuarjen e flakëve po kryhet me mjete manuale për shkak të terrenit të vështirë ku automjetet zjarrfikëse nuk kanë akses. Banorët dhe zjarrfikësit janë angazhuar për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Ndërkohë, një tjetër vatër serioze zjarri është regjistruar pranë Qafës së Skërficës, mbi tunelin e rrugës Kardhiq–Delvinë. Flakët ndodhen në një terren të thepisur dhe po avancojnë drejt zonës së mbrojtur të Zhulatit, e cila përmban masa pyjore me panjë dhe dushk. Banesat më të afërta në Fushbardhë për momentin nuk janë të rrezikuara, por për shkak të vështirësive në ndërhyrje nga toka është angazhuar edhe një helikopter për të ndihmuar në frenimin e përhapjes.
Në veri të vendit, situatë kritike është regjistruar në Bulqizë, ku zjarret kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe po përhapen me shpejtësi për shkak të erës dhe thatësisë së terrenit. Përveç forcave zjarrfikëse dhe banorëve lokalë, në ndihmë janë angazhuar edhe helikopterë për ndërhyrje nga ajri, me qëllim kontrollin e flakëve në zona të paarritshme nga toka. Autoritetet lokale kanë kërkuar mbështetje shtesë për të parandaluar përhapjen drejt zonave të banuara.
Në Klos, flakët kanë përfshirë zona kodrinore dhe me bimësi të dendur, duke shkaktuar shqetësim për banorët dhe kërkuar mobilizim të menjëhershëm të forcave të emergjencës.
Zjarret e njëpasnjëshme në të dy skajet e vendit rikthejnë vëmendjen tek rreziku i përvitshëm i stinës së verës dhe theksojnë mungesën e infrastrukturës dhe pajisjeve për ndërhyrje emergjente, veçanërisht në zonat malore dhe të paarritshme. Autoritetet bëjnë thirrje për bashkëpunim dhe kujdes maksimal nga ana e qytetarëve për të parandaluar zjarrvëniet e qëllimshme apo neglizhencat që mund të sjellin pasoja të rënda.