Pamje të siguruara nga MailOnline tregojnë policë sauditë duke ushtruar dhunë brutale ndaj grave të ndaluara në qendra sekrete të mbajtjes, ku familjet dërgojnë vajzat dhe gratë e “pabindura” për t’i ndëshkuar dhe për t’u “thyer shpirtin”.


Në videon e regjistruar në “Shtëpinë për Edukim Social të Vajzave” në Khamis Mushair, provinca Asir, disa gra shihen duke protestuar paqësisht kundër kushteve të këqija të jetesës. Pak më pas, oficerë sigurie dhe policë u vërsulen duke i goditur – edhe ndërsa ato shtriheshin të pafuqishme në tokë.
Gratë u tërhoqën zvarrë nga flokët, u rrahën me rripa dhe shkopinj dhe u nënshtroheshin formave të tjera të dhunës fizike.
Videot, të cilat qarkulluan për herë të parë në vitin 2022 dhe shkaktuan zemërim mes aktivistëve për të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite, janë rikthyer në vëmendje pasi ish-të ndaluara kanë folur publikisht për përvojat e tyre në qendrat “Dar al-Reaya”, të shpërndara në të gjithë vendin.

Dr. Maryam Aldossari, një akademike saudite që aktualisht punon në universitetin Royal Holloway në Londër dhe bashkëpunon me organizatën për të drejtat e njeriut ALQST, tha për MailOnline se pavarësisht reformave të fundit në Arabinë Saudite, shumë gra ende mbahen në këto institucione të mbyllura pa asnjë formë gjykimi apo procesi ligjor dhe nuk mund të lirohen pa lejen e një kujdestari mashkull.
“Janë si burgje me emra të butë. Ato gra nuk mund të largohen. I izolojnë totalisht. Ka kamera kudo. Nëse ‘silleshe keq’, të fusin në dhoma individuale të vogla dhe të ndajnë nga të tjerët,” – tha Aldossari.
Në mënyrë alarmante, gra të mitura – madje edhe 13-vjeçare – mund të dërgohen në këto institucione nga familjarët nën akuzën e “mosbindjes”, një term që nuk ka një përkufizim ligjor të qartë, duke lejuar abuzime të mëdha.

Sipas Aldossarit, një vajzë që tenton të arratiset nga një situatë abuzimi në familje mund të arrestohet dhe të përfundojë në qendër ndëshkuese, ku shpesh përballet me më shumë dhunë dhe izolim. Në disa raste, gratë janë dërguar në këto vende pasi kanë refuzuar abuzimin seksual nga anëtarët e familjes – dhe më pas mbahen atje derisa pikërisht abuzuesi të lejojë lirimin e tyre.
“Shpesh, i vetmi ‘krim’ i vajzës është që ka folur për të drejtat e grave, është parë me një burrë që nuk është familjar i saj, ose është perceptuar nga familja si ‘e çrregullt’.”

Këto qendra kanë ekzistuar që nga vitet ’60 dhe fillimisht u paraqitën si strehë rehabilituese për gratë e akuzuara për “sjellje të papërshtatshme”. Ato strehojnë gra nga mosha 7 deri në 30 vjeç.

Qeveria saudite pretendon se “gratë janë të lira të dalin kur të duan”, madje edhe pa leje nga kujdestarët, por aktivistët hedhin poshtë këto deklarata si të pavërteta dhe të pabazuara. Sipas tyre, nëse një kujdestar mashkull nuk dëshiron ta lirojë gruan, ajo transferohet në një “qendër mysafirësh” tjetër – ku sërish kërkohet leja e të njëjtit kujdestar për të dalë.
Në një sistem që Aldossari e përshkruan si “absurd”, në mungesë të babait apo burrit, roli i kujdestarit mund të kalojë te vëllai apo edhe te djali i gruas.
“E gjithë kjo strukturë është kthyer në një mjet kontrolli shtetëror mbi gratë,” – thotë ajo.
Tregime rrëqethëse nga ish-të ndaluara janë shfaqur ndër vite. Në një raport të ALQST më 2021, gratë përshkruajnë ndëshkime si detyrimi për të qëndruar në këmbë për gjashtë orë pa pushim.
Një tjetër dëshmitare në vitin 2018 tregoi për televizionin MBC se ishte detyruar të hante të vjellat e veta pas konsumimit të ushqimit të prishur.
“Ata lejonin burra të hynin për të na rrahur. Vajzat dhe fëmijët ngacmoheshin seksualisht, por nëse flisje, askush nuk të dëgjonte,” – tregoi ajo.
Në vitin 2015, një grua u vetëvra duke u varur nga tavani i dhomës së saj në një nga këto qendra, duke lënë një letër ku shkruante: “Vendosa të vdes për të shpëtuar nga kjo ferr.”
Një tjetër grua rrëfeu se u arrestua pasi denoncoi abuzimin nga babai dhe vëllezërit. Më pas, ajo u dërgua në Dar al-Re’aya, ku u akuzua për “turpërim të familjes” për shkak të postimeve të saj në rrjete sociale për të drejtat e grave – dhe u mbajt e izoluar derisa pikërisht babai-abuzues lejoi lirimin e saj.
Ndërsa qeveria saudite vazhdon të prezantojë reforma për të përmirësuar të drejtat e grave, përvojat e dëshmitarëve nga këto qendra tregojnë një realitet krejt tjetër: një sistem represiv që u shërben më shumë familjeve patriarkale sesa drejtësisë.
Dr. Aldossari e përmbyll qartë: “Regjimi saudit gënjen dhe gënjen pa pushim. Këto burgje të fshehta janë realitet – dhe ato janë një turp kombëtar.”