Pamje rrëqethëse të 17-vjeçares nga Xhorxhia, e akuzuar për vrasjen me armë të nënës dhe njerkut të saj, tregojnë momentin kur ajo mban një fjalim të përlotur gjatë funeralit të tyre – një eulogji që ngriti dyshime të forta mbi fajësinë e saj. Sarah Grace Patrick, e cila në kohën e krimit ishte vetëm 16 vjeç, u vetëdorëzua këtë javë në polici e shoqëruar nga babai, pasi u lëshua urdhër arresti ndaj saj për dy akuza për vrasje dhe dy akuza për sulm të rëndë me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi më 20 shkurt në Carrollton, rreth 70 km në perëndim të Atlantës, ku Kristin Brock, 41 vjeç, dhe bashkëshorti i saj James Brock, 45, u gjetën të vrarë me armë në banesën e tyre. Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Carroll, hetimet zbuluan “sasi të mëdha provash fizike dhe digjitale” që çuan tek arrestimi i Sarah-s, përfshirë edhe fjalimin e saj emocional gjatë funeralit.

Familjarët e viktimave, të shokuar nga arrestimi, publikuan videon e fjalimit të saj, duke e akuzuar për lot të rremë dhe sjellje manipuluese. Postimet e saj në TikTok, ku shfaqej e tronditur dhe kërkonte ndihmë nga ndjekësit e krimeve të vërteta, u interpretuan si përpjekje për të fshehur gjurmët e saj. Krysten Dowda, mbesa e James Brock, deklaroi se dyshimet nisën kur Sarah filloi të ndryshonte rrëfimet e saj dhe të shpërndante detaje të ngjarjes në rrjete sociale, duke pretenduar se nuk dëgjoi asgjë përveç alarmit të pajisjes së zemrës së njerkut.

Pamjet nga ceremonia e 8 marsit në kishën “Catalyst” tregojnë Sarah-n me një fustan blu të thjeshtë, duke mbajtur një fjalim me zë që dridhej: “Nuk është e lehtë… jam e lumtur që po e bëj këtë, por lutem më duroni sepse belbëzoj shumë.” Ajo përshëndeti nënën dhe njerkun me fjalë mirënjohjeje dhe dashurie, lexoi një letër prekëse që nëna i kishte shkruar burrit të saj në vitin 2018 dhe i quajti “shpirtra të bukur”.

Por pas arrestimit, shumë të afërm ndihen të mashtruar. “A ishte kjo vajza që i vrau dhe tani po qante para nesh?”, pyet Dowda, që ndau edhe foto të vjetra me xhaxhain e saj, të cilin e cilëson “shok më shumë se familjar”.
Zyrtarët lokalë thanë se hetimi është ende i hapur dhe nuk përjashtohet përfshirja e personave të tjerë. Policia nuk ka përcaktuar ende motivin. Më tragjikja, sipas tyre, është fakti që motra e vogël e Sarah-s ishte e para që gjeti trupat e pajetë të prindërve në shtrat dhe njoftoi 911.
“Një përbindësh mund të jetë edhe një vajzë e vogël me fustan,” tha Dowda, duke refuzuar pretendimet se xhaxhai i saj ishte abuziv dhe këmbënguli se Sarah është e vetmja fajtore. Babai i saj, Doniel Patrick, ka dalë në mbështetje të vajzës në Facebook, duke shkruar: “Do të jem gjithmonë në krahun tënd.”
Hetimet vazhdojnë.