FLASH :

Pamje të rënda/ Ky është pasagjeri që mbijetoi nga përplasja e avionit

Një pasagjer ka arritur t’i shpëtojë tragjedisë ajrore që ndodhi në Indi.

Mediat raportojnë se i mbijetuari, Vishwash Kumar Ramesh, shtetas britanik me origjinë indiane, ndodhet aktualisht i shtruar në spitalin e qytetit, vetëm pak metra larg vendit të aksidentit.

Sipas autoriteteve policore, Ramesh ishte ulur në vendin 11A — një vend pranë dritares në avionët e tipit Boeing 787, i pozicionuar afër krahut të avionit. Përkrah tij udhëtonte edhe vëllai i tij, i cili humbi jetën në aksident.

Në dëshminë e tij për mediat, Ramesh ka rrëfyer momentet dramatike:
“30 sekonda pas ngritjes në ajër u dëgjua një zhurmë e fortë, pastaj avioni u përplas.”

Ai i ka treguar ekipit të shpëtimit edhe kartën e imbarkimit si provë për vërtetësinë e dëshmisë së tij. Më tej ka shpjeguar se jeton në Londër prej rreth 20 vitesh dhe kishte ardhur në Indi për të vizituar të afërmit.

Në momentin e përplasjes, Ramesh nuk e dinte se ku ndodhej vëllai i tij.

“Kur arriti të çohej pas aksidentit, pa rreth vetes trupat e pajetë, tym, flakë dhe copa të shpërndara të avionit”, raporton gazeta italiane “La Repubblica”.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërkohë që numri i viktimave është më shumë se 290.