Një ngjarje tronditëse ka tronditur Venezuelën dhe opinionin ndërkombëtar, pasi influenceri 25-vjeçar Jesús Sarmiento u vra brutalisht gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok, pasi denoncoi publikisht emra të zyrtarëve të lartë dhe anëtarë të bandës famëkeqe Tren de Aragua, të cilët sipas tij po e shantazhonin dhe kërcënonin për jetë.
Në videon që u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale, Sarmiento dëgjohet duke thënë “më qëlluan, më qëlluan”, ndërsa gjaku mbulon dyshemenë. Më pas, në pamje shfaqen dy burra të armatosur që e qëllojnë për vdekje përpara se transmetimi të ndërpritet. Mediat raportojnë se ai u qëllua të paktën nëntë herë, ndërsa e ëma, e cila ishte dëshmitare e ngjarjes dhe u plagos në bark, mbijetoi.
Sarmiento, një programues kompjuteri me 87 mijë ndjekës, kishte postuar më herët dhjetëra video ku akuzonte zyrtarë të lartë si ministrin e Brendshëm Diosdado Cabello dhe guvernatoren Johana Sánchez si bashkëpunëtorë të bandave kriminale. Ai pretendonte gjithashtu se ishte shantazhuar nga policë të korruptuar dhe nga anëtarët e bandave Tren del Llano dhe Tren de Aragua, duke përmendur edhe liderin e frikshëm të kësaj të fundit, Héctor “Niño Guerrero” Flores, një nga më të kërkuarit në vend.
Autoritetet venezueliane kanë nisur një hetim penal për vrasjen, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm Tarek William Saab deklaroi se përgjegjësit do të identifikohen dhe ndëshkohen. Sipas deklaratës zyrtare, Sarmiento kishte denoncuar rregullisht kërcënimet që merrte nga grupe kriminale dhe zyrtarë shtetërorë, përfshirë edhe drejtorinë e veprimeve taktike DAET, që ai e akuzoi se e kishte rrëmbyer më parë.
Ngjarja vjen në një moment kur Tren de Aragua, e cilësuar si organizatë terroriste nga SHBA, po përhapet në gjithë Amerikën Latine dhe ka depërtuar edhe në SHBA përmes kufirit me Meksikën. Më shumë se 250 anëtarë të saj janë deportuar në El Salvador për t’u burgosur në qendrën famëkeqe kundër terrorizmit të presidentit Nayib Bukele.
Vrasja makabre e Jesús Sarmiento është shembull ekstrem i asaj që ndodh kur denoncimi publik në vende me shtet të dështuar bëhet një akt vdekjeprurës. Në një vend ku kufiri mes shtetit dhe krimit është zhdukur, fjalët janë të barabarta me rrezikun e jetës.


