Pamela Anderson ka shkëlqyer në tapetin e kuq të Festivalit Amerikan të Filmit në Deauville, Francë, ku mori çmimin prestigjioz “Deauville 2025 Talent Award”. Aktorja 58-vjeçare u shfaq me një fustan të zi elegant pa rripa, që theksonte format e saj dhe tërhoqi gjithë vëmendjen e mbrëmjes.
Në fjalën e saj të pranimit, Anderson iu përgjigj thashethemeve për lidhjen e saj me bashkëaktorin e filmit The Naked Gun, Liam Neeson, pasi disa raportime e kishin cilësuar si një “lidhje publicitare”. “Unë nuk kam bërë dhe kurrë nuk do të bëj pjesë në lojëra të tilla. Do të ishte një dënim me vdekje. Jam e drejtuar vetëm nga autenticiteti,” u shpreh Pamela në skenë.
Aktorja shtoi se është supersticioze kur bëhet fjalë për dashurinë dhe nuk ndihet e qetë të ndajë jetën e saj intime me publikun: “E di që do të bie sërish në dashuri në ekran, sepse kjo është puna ime. Nëse e bëjmë mirë, ju do ta ndjeni, një lloj projeksioni. Por jashtë kamerave, unë jam e sinqertë dhe nuk ka lojëra. Mos e ngatërroni mirësinë time me dobësi.” Pamela theksoi se karriera e saj nuk ka të bëjë as me famën dhe as me paratë, por me dëshirën për të lënë pas një trashëgimi të ndershme për familjen e saj. Romanca mes saj dhe Neeson filloi të përflitej pas shfaqjeve të tyre plot përkëdheli në tapetet e kuq të Nju Jorkut dhe Londrës gjatë promovimit të filmit, i cili doli në kinematë më 1 gusht.
Thashethemet u shtuan pasi një burim për mediat pohoi se dyshja janë në një marrëdhënie të vërtetë, të cilën e kanë mbajtur të rezervuar mes Kanadasë dhe jetës në Hollywood. Në të kaluarën, edhe vetë Neeson kishte pranuar publikisht ndjenjat e tij për Pamelën, duke thënë: “Jam marrëzisht i dashuruar me të. Është një kënaqësi e madhe të punosh me të, një zonjë e vërtetë dhe një shoqe e mrekullueshme.” Ndërkohë, Anderson e ka cilësuar aktorin irlandez si “një zotëri të përsosur” që “sjell gjithmonë më të mirën tek të tjerët”.
Çifti vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes ndërsa fansat ndahen mes dyshimeve dhe mbështetjes për këtë romancë që ka ndezur jo vetëm tapetet e kuq, por edhe rrjetet sociale.









