FLASH :

Pagat rriten në bare e restorante, por mungesa e fuqisë punëtore mbetet problem: Sektori po mbështetet te punonjësit e huaj

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të pagave në sektorin e bareve dhe restoranteve, mungesa e fuqisë punëtore vazhdon të jetë një sfidë serioze për industrinë e shërbimeve në vend.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, deklaroi se pagat për punonjësit e këtij sektori janë rritur me 10 deri në 20% gjatë vitit 2025. Në Tiranë, një kamarier paguhet mesatarisht nga 50 deri në 120 mijë lekë në muaj, ndërsa banakierët marrin nga 60 deri në 120 mijë lekë. Profesionistët e kokteileve arrijnë deri në 200 mijë lekë në muaj, varësisht nga eksperienca dhe vendndodhja e lokalit.

Në zonat bregdetare, ku sezoni turistik sjell kërkesë të lartë për shërbime, pagat për pozicionet bazë si kamarier, banakier apo ndihmës kuzhinier shkojnë deri në 150 mijë lekë për një orar standard dhe deri në 200 mijë lekë për turne të zgjatura.

Punonjës të huaj për të mbushur boshllëkun

Sipas Jahjes, rritja e pagave është diktuar nga mungesa e theksuar e ofertës për punë, e cila shpesh përfshin persona pa trajnimin e nevojshëm. Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë biznese kanë nisur të punësojnë të huaj, kryesisht nga Filipinet, Bangladeshi, Mianmari dhe Pakistani.

“Edhe pse aplikimi për dokumentacionin e punës zgjat deri në dy muaj dhe shumë prej punonjësve të huaj e shohin Shqipërinë si trampolinë drejt Europës, ata rezultojnë më të trajnuar dhe më të menaxhueshëm,” deklaroi Jahja.

Një sektor në krizë, pavarësisht rritjes

Sipas të dhënave të indeksit të “Çelësi”, në vitin 2022 kishte 45,670 njoftime për vende të lira pune në sektor, një rritje me 14% nga viti paraprak. Në vitin 2023, vetëm gjatë sezonit turistik, sektorit i munguan rreth 15 mijë punonjës, duke u renditur pas industrisë fason për nga numri i vendeve vakante.

Kjo krizë ka detyruar bizneset të rishikojnë qasjen e tyre ndaj punonjësve, duke përmirësuar kushtet e punës, oraret, dhe duke ofruar ushqim për personelin.

Një industri me informalitet të lartë

Të dhënat e INSTAT tregojnë se deri në vitin 2019, ishin të punësuar rreth 45 mijë persona në sektorin e bareve dhe restoranteve, megjithëse niveli i informalitetit vlerësohet të jetë i lartë. Aktualisht në vend ka rreth 15,500 bare, nga 22 mijë që ishin në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar pas tregtisë me pakicë.

Sektori mbetet jetik për ekonominë, veçanërisht në periudhën e verës, por për të mbajtur ritmin e rritjes, punësimi dhe trajnimi i fuqisë punëtore mbeten sfida kyçe.